Të paktën 13 njerëz u vranë dhe rreth 250 të tjerë u helmuan kur një vinç që ngarkonte rezervuarët e gazit në një anije në Jordani rrëzoi njërën prej tyre, duke bërë që tymi i verdhë toksik të mbushte ajrin.
Pamjet e postuara në faqen e televizionit shtetëror tregojnë një tank që bie dhe godet kuvertën e një anijeje, pas së cilës gazi ngrihet në ajër ndërsa njerëzit largohen.
Punëtorët e portit u panë duke ikur nga zona në këmbë. Një kamion që mbante një rezervuar të dytë gazi po kthehej ngadalë në drejtim të anijes pak çaste përpara shpërthimit dhe ndryshoi shpejt kursin e tij për t’u shpëtuar reve të verdha të gazit.
“Papritur, vendi ku po qëndronim u bë i verdhë , mezi po merrnim frymë, ishte helmuese”, tha Auman.
“Ata bërtisnin: “Evakuoni zonën, evakuoni zonën!”, kështu që u larguam nga zona por u prekëm nga gazrat helmues. Disave u ra të fikët brenda pak çastesh ”, tha Ibrahim.
Sipas autoriteteve, rezervuari përmbante klor, një gaz helmues. Klori përdoret gjerësisht në produktet shtëpiake si zbardhuesi, në ujin e pijshëm dhe ujin e pishinës për të eliminuar bakteret e dëmshme.
Top Channel