Protesta për çmimet më 7 korrik/ Sali Berisha: Laku në fytin e shqiptarëve po shtrëngohet çdo ditë

28/06/2022 14:26

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, është shprehur gjatë mbledhjes së kryesisë së PD-së ditën e sotme, se me datën 7 korrik do të zhvillohet një protestë e madhe me synim mbështetjen e qytetarëve kundër rritjes së çmimeve.

Kryedemokrati tha se në protestë do të marrin pjesë personalitete publike, forca politike opozitare e anëtarë të shoqërisë civile. Berisha shtoi se bordet janë bërë zëdhënëse të një shfrytëzimi të egër të qytetarëve shqiptarë.

Fjala e Berishës:

Partia Demokratike shkon drejt kësaj proteste me personalitete aktive në jetën publike dhe shoqërinë civile. Nuk ka dyshim se problemi më kryesor është një lak në fytin e shqiptarëve që po shtrëngohet çdo ditë e më shumë nga çmimet stratosferike të borxheve komuniste të qeverisë së Edi Ramës. Unë mund tu them shqiptarëve se bordet për llogari të qeverisë dhe oligarkëve janë shndërruar në një mekanizëm gjakpirës. Dy ditë më parë fuqia e naftës në bursë ishte 108 dollarë, nafta në treg ishte 2600 e ca lekë. Dy muaj më parë kur fuqia e naftës ishte po aq, litra e naftës ishte 2200 lekë. Pra bordet janë bërë zëdhënëse të një shfrytëzimi të egër të qytetarëve shqiptarë. Nuk ka asnjë mundësi tjetër që kokrra e vezë, litra e qumështit, djathi, të kushtojnë në Shqipëri 107% të mesatares së çmimit të BE-së. Këtë e bën bordi dhe këto që iu them janë statistika të institutit që kontrollohet nga Edi Rama. Si mundët që nafta të ketë çmim të njëjtë me Finlandën apo Norvegjinë e Zvicrën në një kohë kur rrogat janë shumë më të ulëta. Vetëm nga TVSH e çmimeve të rritura qeveria ka përfituar 340 milion euro dhe qeveria ka ulur me 2% ndihmën ekonomike për familjet në nevojë. Kemi të bëjmë me një qeveri e cila nuk ka asnjë moral dhe merr vendime sikur ky popull nuk ushqehet e nuk vishet.

Top Channel