Rusia “nuk mund dhe s’duhet ta fitojë” luftën në Ukrainë dhe fuqitë perëndimore do ta mbështesin Kievin për aq kohë sa të jetë e nevojshme, tha sot presidenti francez Emmanuel Macron.

Duke folur në fund të samitit të G7, Macron tha në një konferencë për shtyp se ishte e qartë se Moska tani kishte objektivin e vetëm, të përpiqej të detyronte Ukrainën të dorëzohej.

“Unë me të vërtetë shpresoj se fundi i konfliktit mund të arrihet deri në fund të vitit, me një siguri dhe një dëshirë, që është se Rusia nuk mund dhe nuk duhet të fitojë”, tha lideri francez.

Macron përsëriti gjithashtu se ata që kishin kryer krime lufte duhej të ishin përgjegjës.

Ai shtoi: Mbështetja jonë për Ukrainën dhe sanksionet tona kundër Rusisë do të vazhdojnë për aq kohë sa të jetë e nevojshme dhe me intensitetin e nevojshëm në ditët dhe javët e ardhshme.

Si pjesë e përpjekjeve për të rritur presionin ndaj Rusisë, Macron tha se ai mbështet idenë e një kufiri të çmimit të naftës dhe gazit, duke përfshirë një propozim të SHBA për të kufizuar naftën ruse.

Top Channel