Takumi Minamino transferohet në Principatë. Sulmuesi japonez është zyrtarizuar si përforcimi i ri i Monacos, drejtuesit e së cilës e kishin gjetur gjuhën e përbashkët me “The Reds” për kartonin e lojtarit.
Siç komunikohet nga klubi monegask, Minamino ka nënshkruar kontratë katërvjeçare, deri më 30 qershor 2026. Largohet pas dy vitesh e gjysmë nga Liverpooli, ku ishte transferuar nga austriakët e Salzburgut në janar 2020. Në “Anfield” nuk mori minutat që kërkonte, ndaj zgjodhi të ndërmerrte një përvojë të re.
“Për mua është gëzim i madh që mbërrij te Monaco. Jam i lumtur që jam pjesë e projektit të klubit. Mezi pres të njoh mjedisin e ri dhe të bëj gjithçka për të ndihmuar ekipin”, deklaroi Minamino.
“Ne jemi shumë të lumtur dhe të emocionuar që mirëpresim Takimin në Monaco. Ai është një lojtar që e njohim prej shumë vitesh, ka vazhduar të fitojë përvojë në nivelin më të lartë, veçanërisht në garat evropiane. Ne jemi të bindur se Takumi do të kontribuojë në zhvillimin e ekipit tonë të ri. Jemi të kënaqur që ai ka vendosur të jetë pjesë e projektit tonë dhe duam ta mirëpresim”, tha drejtori sportiv Paul Mitchell.
SuperSport shkruan se në kampionatin e fundit të Premier League, Minamino luajti shumë pak: vetëm 11 segmente ndeshjesh të kurorëzuara me 3 gola.
Top Channel