Pas denoncimit të rastit në emisionin investigativ ”Fiks fare” të Top Channel, reagimi i policisë vendore të Durrësit ka qenë i shpejtë, duke arrestuar shtetasin italian Donato Ascoli, i cili do të përballet me autoritetet hetimore. 64-vjeçari italian akuzohet për ngacmim seksual të të miturave.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin italian D. A., 64 vjeç.
Ky shtetas dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një shtetase të mitur, në qytetin e Durrësit. Për arrestimin e këtij shtetasi është bashkëpunuar me stafin e emisionit “Fiks Fare”.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës falënderon mediat që denoncojnë rastet e paligjshmërisë dhe i fton sërish që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në Komisariatin Dixhital dhe në numrin 112, duke iu garantuar reagim të menjëhershëm e të paanshëm.
Top Channel