Protesta për abortin/ Njujorkezët mblidhen kundër vendimit të Gjykatës së Lartë

26/06/2022 11:55

Njujorkezët u mblodhën sërish për të mbështetur të drejtën e grave dhe vajzave për abort, duke  protestuar kundër vendimit të Gjykatës së Lartë.

Ky institucion i dha fund mbrojtjes kushtetuese gati 50-vjeçare për abortin duke hedhur poshtë çështjen historike “Roe kundër Wade”.

Pas vendimit të gjykatës, mbështetur nga 5 gjykatës konservatorë nga nëntë gjithsej që ka ky institucion, pritet që gjysma e shteteve ta ndalin ose me gjasë të ndërmarrin masa për ta ndalur abortin.

Ne erdhëm këtu sot sepse jemi të sëmurë dhe të lodhur nga frika. Çdo ditë, jetët tona po kërcënohen Ne jemi të lodhur dhe do të luftojmë derisa të shohim dritën.”
Mendoj se aborti duhet të jetë falas, i sigurt dhe i ligjshëm për të gjithë”, shprehen qytetarët.

Edhe në Los Angeles pati protesta, ku qytetarët kundërshtonin se vendimi i gjkykatës nuk mudn të jetë standard për Amerikën.

Në një reagim menjëherë pas vendimit, presidenti Joe Biden i bëri thirrje Kongresit të miratojë një ligj federal që mbron të drejtën grave për të abortuar.

Ishin tre gjykatës të emëruar nga Presidenti Donald Trump, të cilët me vendimin e sotëm eleminuan një të drejtë themelore për gratë në këtë vend. Me këtë vendim, shumica konservatore e Gjykatës së Lartë tregon se sa ekstreme është. Sa larg janë ata nga shumica e këtij vendi”, tha Presidenti Biden.

Ndërkohë vetë ish presidenti Trump duke përshëndetur vendimin tha se  gjykata dha një fitore për Kushtetutën.

Vendimi nga Gjykata e Lartë erdhi rreth një muaj pas rrjedhjes së opinionit paraprak që tregonte se gjykata ishte e përgatitur për të ndërmarrë këtë hap. Ndërkohë disa shtete në të gjithë vendin kanë nisur të ndryshojnë me ligj qasjen ndaj abortit. Vendimi ka të ngjarë të ndikojë në sjelljen e amerikanëve në zgjedhjet 8 nëntorit për Kongresin, gjatë të cilave demokratët do të përballen me një rrezik të madh për të humbur shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe ndoshta edhe në Senat.

Top Channel