Pas refuzimit që Shkupi zyrtar i bëri propozimit francez si të papranueshëm për vendin, ministri i jashtëm maqedonas Bujar Osmani, tregoi se një dritare mbetet ende e hapur, por koha shtrëngon.

Osmani tha se pret që Parisi të dorëzojë propozim të ri deri në fund të presidencës franceze, e cila mbyllet këtë muaj. Nëse nga ana e Francës do të ketë një hao të tillë, atëherë propozimi i ri do të shqyrtohet me kujdes së bashku me institucionet përkatëse, premtoi shefi i diplomacisë në vendin fqinj.

“Presidenca franceze zgjat deri më 30 qershor. Kjo do të thotë se në ditët në vijim, nëse vendosin për një propozim të ri, në përputhje me qëndrimet e të dyja palëve të cilat tashmë janë bërë dhe publike, ne jemi këtu për ta vlerësuar atë. Nëse kemi një propozim, do të konsultohen institucionet përkatëse dhe do të marrim një vendim. Absolutisht nuk do të udhëhiqemi nga sulme hibride, nga politikanë të zhgënjyer që mendojnë se mund ta rikthejnë karrierën në valën e disponimit publik.”

Parlamenti i Bullgarisë i dha të premten dritën jeshile qeverisë së këtij vendi, për të miratuar kuadrin negociues për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian, duke vendosur kështu heqjen e vetos së vendosur në 2020-tën  për shkak të mosmarrëveshjeve rreth historisë dhe gjuhës. Ligjvënësit votuan për të lejuar qeverinë të heqë veton e saj pas ndryshimeve në tekstin e kuadrit te negociatave që do të garantojë të drejtat e bullgarëve në vend nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese dhe do të nxiste përkushtimin e Shkupit për të ruajtur marrëdhënie të mira me Bullgarinë.

Sipas ligjvënësve kuadri gjithashtu nuk duhet të ketë ndonjë referencë që mund të sugjerojë se Bullgaria njeh gjuhën maqedonase. Kompromisi u propozua nga Franca, dhe u cilësua nga pala bullgare si oferta më e mirë që kanë marrë deri tani. Por ai nuk u pranua nga Shkupi. Kryeministri maqedonas Dimitar Kovaçevski foli tha se cështjet historike nuk mund të jenë kritere në kornizën negociuese. Negociatat mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së duhet të fillojnë para fillimit të procedurës për ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Preambulën e Kushtetutës. Garanci të fuqishme duhet të ketë nga BE dhe Bullgaria, që kjo e fundit nuk do të kushtëzojë me kërkesa të reja”, u shpreh ai.

Top Channel