Me dhurata për Pachamama apo Token-Mëmën, ceremonia e lashtë inkase kushtuar perëndisë së Diellit, Inti Raymi, u organizua në Cusco, kryeqyteti i hershëm i perandorisë së Inkasve, ku mijëra turistë u rikthyen pas më shumë se dy vitesh pandemie.

Me një përkrenare të artë në kokë, pelerinë të kuqe e skeptër në dorë, perandori inkas mbërriti në kështjellën e gurtë të Sacsayhuamán, në periferi të qytetit, pas një rituali që filloi në sheshin qendror të Cuscos. Rituali konsistonte në një ofertë për tokën, në të cilën misri, gjethet e coca-s, dhe patatet u përdorën për t’i kërkuar Zotit Diell të korra të mbara.

Disa aktorë ishin vendosur në rolin e perandorit dhe bashkëshortes së tij, ndërsa kërcimtarë qenë ftuar të perfomonin vallet tradicionale, teksa mbi ta hidheshin petale lulesh e rruga pastrohej me fshesa kashte për të “trembur shpirtrat e këqinj”.

“Pas dy vitesh pandemie, mbajtja e festivalit të Cuscos sërish, e sidomos rikrijimi i ceremonisë së Inti Raymi, përbëjnë një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm për ne. Kremtimet u zhvilluan me 100% të kapacitetit, e kjo ishte arritje e madhe”, tha  kryebashkiak i Cuscos, Víctor Boluarte.

Në 2020-tën, për shkak të pandemisë së koronavirusit eventi u përcoll vetëm përmes rrjeteve sociale, ndërsa vitin pasues u mbajt pa publik.

Top Channel