Ushtarët e Ukrainës janë urdhëruar sot pasdite të heqin dorë nga rezistenca ndaj ushtrisë ruse në qytetin juglindor të Severodonetsk, njoftoi një zyrtar i lartë rajonal.
Mediat perëndimore shkruanin se qyteti është sulmuar prej disa javësh nga forcat ruse që kërkojnë të marrin kontrollin e plotë të rajonit, shkruan rrjeti britanik BBC.
Tërheqja e sotme e ushtrisë së Ukraines bën që i gjithë rajoni i Luhansk të mbetet nën kontrollin rus, përveç qytetit të Lysychansk.
Luhansk, rajoni rusisht folës në lindje të Ukrainës është një prioritet për ushtrinë e liderit Vladimir Putin.
Bashkë me Donetsk, rajoni përbën atë që njihet në mënyrë kolektive si Donbas – zona e gjerë industriale ku përplasjet me ushtrinë e Kievit kanë qenë të rënda që prej vitit 2014, kur u largua qeveria pro-ruse e Ukrainës.
Rusia thotë se popullsia rusofone e Donbas kanë qenë viktima sulmesh e genocidi nga qeveria e Ukrainës, por kjo është hedhur poshtë nga Kievi si një justifikim për pushtimin e Ukrainës.
Severodonetsk ka qenë objekt i sulmeve të ashpra të artilerisë ruse ku zona e fundit e rezistencës ishte impjanti industrial Azot në periferi të qytetit.
Ushtria ruse ka shkatërruar të gjitha urat për të izoluar qytetin dhe tërheqja e Ukrainës mund të jetë një tentativë për të evituar rrethimin e plotë të zonës, shkruan BBC.
“Forcat ukrainase kanë marrë urdhër të tërhiqen në pozicione të reja … dhe të vazhdojnë operacionet prej andej”, tha kreu rajonal i Luhansk, Serhiy Haidai në televizionin ukrainas.
Ai shtoi se infrastruktura e qytetit është shkatërruar dhe shumica e shtëpive janë dëmtuar.
Ende disa qindra ushtarë e civilë besohet se strehohen në impjantin kimik Azot në Severodonetsk.
Haidai shtoi se do të jetë “shumë e vështirë” për rusët kapja e qytetit të radhës Lysychansk, pasi është i vendosur në një kodër dhe “ka shumë pozicione difensive”.
Ndërkohë ministria ruse e mbrojtjes ka thënë se forcat ukrainase të qyteteve Zolote e Hirske janë dorëzuar.
Në një tjetër zhvillim të premten, zyrtari i emëruar nga Rusia në qytetin jugor të Kherson u vra nga një shpërthim në makinë, sipas agjencive ruse.
Disa zyrtarë të vendosur nga Kremlini janë sulmuar në rajonin e Kherson.
Top Channel