Katastrofa në Afganistan: Klinika me pesë shtretër trajton mbi 500 pacientë të plagosur nga tërmeti (fotot)

23/06/2022 16:50
Klinika ne Gyan

“Rreth 500 pacientë kanë ardhur në klinikë prej mëngjesit, 200 kanë vdekur” – thotë infermieri Muhammad Gul, anëtar stafi në klinikën Gyan, në lindje të Afganistanit.

Klinika ka vetëm pesë krevate, por pas tërmetit të së martës të gjitha burimet e saj të varfra janë bërë të papërdorshme.

“Të gjitha dhomat janë shkatërruar,” thotë Gul në një reportazh të BBC.

Ai shton se një helikopter ka dërguar një numër të vogël pacientësh nga provinca e largët  Paktika drejt qyteteve për trajtim, ndërsa dy doktorë mbeten në klinikën e hapur për të trajtuar njerëzit që nuk kanë ku tjetër të shkojnë.

Një gjenerator që furnizon me energji elektrike ka vetëm një depozitë të kufizuar karburanti dhe ndihma e premtuar nga provinca të tjera ende nuk është bërë realitet.

“Janë dhjetra njerëz që kanë nevojë për ndihmë mjekësore, shumë nuk do të mund t’i mbijetojnë natës”.

Tërmeti goditi zona të varfra kodrinore me ndërtesa të dobëta që nuk mund t’i rezistonin tronditjes.

Qindra shtëpi u shkatërruan dhe disa rrëshkitje dheu janë regjistruar.

Gyan është një prej zonave më të goditura dhe shumë njerëz besohet se janë ende të bllokuar nën rrënoja.

Klinika këtu u krijua nga agjenci ndërkombëtare dy vjet më parë.

Ajo trajton vetëm shqetësime të vogla ose referon njerëzit për në spital për trajtime më serioze dhe nuk ka një departament emergjence apo traume.

Prej ardhjes së Talibanëve në pushtet gushtin që shkoi sistemi mjekësor ka pasur mangësi në furnizime dhe staf, shkruan rrjeti britanik BBC.

Por edhe para ardhjes së Talibanëve shërbimet mjekësore në vend kishin aftësi të kufizuara për t’u përgjigjur ndaj katastrofave.

Disa nga fëmijët të ardhur në klinikë pas tërmetit ishin pa prindërit e tyre, duke përfshirë dhe një djalë tetë vjeçar.

“Ai na lutej të shkonim për të ndihmuar prindërit dhe vëllezërit e tij që ishin të bllokuar në rrënojat e shtëpisë,” tha doktori.

“Më pas ai dëgjoi dikë që tha se kanë vdekur të gjithë dhe nisi të qante e të ulërinte deri sa humbi ndjenjat”.

Në imazhet e publikuara nga BBC tregoheshin njerëz me plagë të hapura dhe trupa të pajetë në dysheme.

Njerëz nga zonat e afërta kanë ardhur në provincë për të ndihmuar me përpjekjet e shpëtimit.

Një vullnetar nga qyteti fqinj i Urgun që po ndihmonte në nxjerrjen e njerëzve tha se prej mëngjesit kishte gjetur 40 trupa të pajetë, mes tyre mjaft fëmijë.

Por dhe për ata që arritën të dalin të gjallë, e ardhmja e afërt duket mjaft e vrazhdë.

“Nuk kemi ujë për t’u pastruar dhe është shumë nxehtë”, tha një prej doktorëve. “Shpejt mund të përhapen infeksionet”.

FOTO GALERI
1/3
Klinika trajton vetëm shqetësime të vogla ose referon njerëzit për në spital për trajtime më serioze dhe nuk ka një departament emergjence apo traume.

Top Channel