Aktorët politik  janë gati  për të ndryshuar sërish rregullat e lojës për zgjedhjet dhe duket se idetë i kanë të qarta. Socialistët kërkojnë  rregullim ligjor për partitë politike që nënshkruajnë kontrata lobimi.

“Ne duhet të përcaktojmë rregulla të qarta për lobimin, si bëhet për çfarë bëhet dhe transparencë mbi fondin e lobimit”, tha Eridian Salianji, PS.

Po, kush i financon partitë politike? Kuadri rregullator  parashikon kush  ka të drejtë të japë para dhe sa është shuma që mund të japë,  por nuk mundëson ende një transparencë të plotë të burimeve të partive politike.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si organ auditues propozon  që  gjurmimi të shtrihet edhe tek “palët e treta”.

“Pra të subjekteve të ndryshëm, jo parti politike, jo kandidatë, të cilët nuk marrin pjesë direkte në fushatë, por angazhohen në një mënyrë apo në një tjetër në to. Gjithashtu duhet të përfshihen në monitorim edhe financimet për partitë dhe fushatat e tyre në median e shkruar, si dhe në rrjetet sociale”, tha Celibashi.

Zgjidhja për demokratët është financim  i plotë i partive nga buxheti i shtetit.

“Pasi është i matshëm, i kontrollueshëm, qarkullon nëpërmjet sistemit bankar, dhe i jep mundësi organeve që ligji i ka ngarkuar me detyrën e mbikëqyrjes të kryejnë më mirë detyrat e tyre”, tha Alibeaj.

Lëvizja Socialiste për Integrim nuk kishte propozime, por vetem sugjerime.

“Gjuha diplomatike nuk na ka ndihmuar,  ka qenë kozmetika  e pushtetit të radhës.  LSI do jetë kritik me këdo që i bën shërbim një kompromisi që i vjen erë”, tha Vasili.

131 parti politike janë regjistruar në gjykatë, por gjysma rezultojnë të jenë subjekte “fantazëm”. Për këtë arsye Komisioneri, Ilirjan Celibashi kërkoi ndërhyrje në ligjin e partive politike për t’i detyruar të raportojnë adresat e tyre të sakta.

Si ndëshkim për shkeljen e këtij detyrimi ligjor propozoi  mosregjistrimin e  e tyre në zgjedhje.

 

 

 

Top Channel