Çështja e 500 mijë eurove të sekuestruara në portin e Durrësit në qershor të vitit 2020 ka përfunduar në gjykatë.
Dy vjet pas sekuestrimit të afro 500 mijë eurove në portin e Durrësit, organi i akuzës durrsake mbyll hetimet dhe e dërgon çështjen për gjykim.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë Durrës përfundon hetimet dhe dërgon për gjykim të pandehurin A.Th., i akuzuar se ka kryer veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Durrës, procedimi penal nr. 1083 datë 13.06.2020 u regjistrua bazuar në referimin e policisë gjyqësore në Drejtorinë Vendore e Policisë në ngarkim të këtij shtetasi.
Ndonëse pas gjetjes dhe sekuestrimit të parave, drejtuesi 56-vjeçar i kamionit pati mohuar dijeninë për paratë e fshehura, akuza durrsake bën me dije se nga hetimi i kryer dhe me metoda speciale të hetimit ka rezultuar e provuar se i pandehuri A. Th. ka kryer veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” të parashikuara në legjislacionin tonë penal.
Në funksion të hetimit të këtij procedimi penal, me vendimin nr. 245/5 datë 26.05.2022 të Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës është vendosur caktimi i masës së sigurimit pasuror sekuestro preventive për vlerën 498.850 euro, të cilat janë konstatuar gjatë kontrollit në skaner të kamionit tip “Renault” me targë TR2046U dhe TR2048U i cili drejtohej nga shtetasi A. Th.
Paratë u gjetën të fshehura në urën lidhëse të kamionit dhe rimorkios në pesë pako me përmasa të ndryshme të lidhura me një tel dhe një litar me gjatësi 9 metër, të cilat nuk qenë deklaruar në pikën e kalimit kufitar.
Kamioni ku u gjetën të fshehura paratë e padeklaruara lëvizte shpesh në linjën detare Durrës-Bari dhe Bari-Durrës për të transportuar nga Italia drejt Shqipërisë materiale më lëndë të parë për fasoneritë e prodhimit të këpucëve.
Tashmë hetimet kanë përfunduar dhe pritet të nisë gjykimi për 56-vjeçarin nga Tirana.
Top Channel