Kryeministri bullgar, Kiril Petkov do të shkojë pa një vendim për heqjen e vetos së Maqedonisë së Veriut, në Bruksel për takimin e liderëve të BE-së për “Evropën dhe Ballkanin Perëndimor”, sipas medias bullgare Novinite.bg.
Pavarësisht se partia GERB deklaroi mbështetje të qartë për integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor, Petkov dhe deputetët e partisë “Vazhdojmë ndryshimin” u përpoqën ta anashkalojnë vendimin e Këshillit të Ministrave për t’u votuar në Asamblenë Kombëtare.
Mirëpo, shefja e kabinetit të kryeministrit Lena Borislavova njoftoi se Kiril Petkov nuk do të devijojë nga formula e vendimit për Maqedoninë, përkatësisht që vendimi të kalojë në komisionin parlamentar për politikën e jashtme, pastaj në sallën plenare dhe më pas në Këshillin e Ministrave.
Dhe opozita tha se qeveria po kryente akt antikushtetues me ide të tilla.
Deputetët e opozitës kujtuan se sipas Kushtetutës, politikën e jashtme të Bullgarisë e udhëheq Këshilli i Ministrave dhe jo Asambleja Kombëtare.
Ndonëse në seancën parlamentare të komisionit ishte edhe ministrja e Jashtme Teodora Gençovska, shumica e deputetëve vendosën shtyrjen e mbledhjes së komisionit, pasi qasja e propozuar nga GERB-UDF duhet të ketë fillimisht një vendim të qeverisë dhe më pas një vendim parlamentar.
“I bëj thirrje Këshillit të Ministrave të mos fshihet pas Kuvendit Kombëtar, ai është institucioni udhëheqës dhe presim që ai të marrë vendime të qarta dhe të përgjegjshme”, tha presidenti Rumen Radev në një koment.
Presidenti paralajmëroi se në këtë moment nuk mund të hiqet vetoja pa nënshkrimin e Protokollit dypalësh ndërmjet Sofjes dhe Shkupit, versioni fillestar i të cilit nuk merr parasysh interesat kombëtare të Bullgarisë, shkruan Epicenter.bg.
Top Channel