Veliaj takim me strukturat në Kamëz: PS është e fëmijëve dhe e familjeve, jo e non-gratave që mbajtën peng breza me radhë

21/06/2022 18:41

Në kuadër të turit të takimeve për përzgjedhjen e drejtuesve të rinj vendorë, Kamza ishte ndalesa e radhës për drejtuesin politik të PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj.

Ai tha se Tirana dhe Kamza po rriten si dy “mushkëri të të njëjtit organizëm”, duke shtuar se ka plot projekte të përbashkëta, që do nisin shumë shpejt dhe që do i afrojnë akoma më shumë këto dy zona.

“Tirana dhe Kamza prodhojnë më shumë se gjysmën e ekonomisë së vendit, pra kanë më shumë se gjysmën e të punësuarve në vend. Një pjesë e madhe e krahut të punës, e djemve dhe vajzave të talentuara që mbajnë në këmbë Tiranën – hotelet, restorantet dhe shumë prej bizneseve – vijnë nga Kamza. Janë çuna dhe goca punëtorë, që vijnë nga familje të thjeshta, që janë bërë histori suksesi. Ndaj, për ne suksesi i Kamzës është edhe suksesi i Tiranës. Kurse suksesi i Tiranës prodhon më shumë mirëqenie edhe për Kamzën”, u shpreh ai.

Veliaj deklaroi se është koha për të thënë se duhet menduar më shumë për të ardhmen dhe fëmijët, se sa për non-gratat e për ata që zgjedhjet në parti i bëjnë një herë për burrin, një herë për gruan.

“Ka ardhur koha të themi: Eja mendojmë më shumë për fëmijët dhe më pak për non-gratat, që e kanë mbajtur peng Shqipërinë. Gjyshi që u rikthye në PD ka mbajtur peng gjyshërit tanë, se është mosha e gjyshërve tanë. Pastaj, mbajti peng prindërit tanë, pastaj mbajti peng gjeneratën tonë, dhe ju në Kamëz e dini fare mirë. Tani do të mbajë peng edhe fëmijët tanë? Kurrë jo! Sa të jemi ne socialistët, do të sigurohemi që fëmijët tanë nuk i mban peng njeri. Kur bëjnë zgjedhje partitë e tjera janë më shumë kërshëri mediatike, të tipit do e marrë burri apo gruaja drejtimin? Do ia lërë burri gruas partinë, apo gruaja burrit partinë? Ajo është një kërshëri mediatike për meme dhe karikatura. Kur ka zgjedhje te partia tjetër, prapë ka kërshëri mediatike: A do të shkojnë me qysqi apo me vare? Do shkojnë me flakëhedhëse, flakadanë, me gazlotësjellës, me shkallë? Kush do e marri kalanë? Pra, bëhet fjalë për pushtimin e një ndërtese”, u shpreh Veliaj.

Drejtuesit politik për Qarkun e Tiranës tha se Partia Socialiste është partia e fëmijëve dhe gjeneratës së re. Ai dha lajmin e mirë se së shpejti do të hapen dy shkollat e reja që ndodhen mes Tiranës dhe Kamzës.

“PS është partia e fëmijëve dhe e familjeve. Bashkë me Rakipin, ne do të hapim dy shkolla të reja në kufirin mes bashkive: shkolla “Nënë Tereza” dhe shkolla “Xhon F. Kenedi”, që ndodhen në hyrje të Institutit Bujqësor. Ne mund të kemi vija ndarjeje ku japim shërbime si pastrimi, por nuk kemi vija gjeografike ndarëse. Mezi pres që kompleksi i ri shkollor të jetë gati me një infrastrukturë moderne”, përfundoi Veliaj.

Top Channel