Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për energjinë. Në fakt bëhet fjalë për të njëjtën marrëveshje që ishte arritur në vitin 2013-të, ishte konfirmuar në vitin 2015-të, ndërsa tashme palët janë pajtuar për planin e implementimit të saj.
Bashkimi Evropian do të ketë rolin e lehtësuesit edhe për zbatimin e kësaj marrëveshje.
Lajmi është konfirmuar edhe nga i dërguari i posaçëm i BE-së, për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
“Me kënaqësi ju njoftoj se Kosova dhe Serbia sapo miratuan udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjeve për energjinë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ky është një hap i madh përpara”, ka shkruar Lajçak.
Qytetarët e komunave në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, kryesisht me shumicë serbe – nuk kanë paguar rrymën e shpenzuar që nga viti 1999.
Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviç, tha se Prishtina ka refuzuar të flasë për energjetikën dhe se Beogradi e ka “detyruar” atë jo vetëm të flasë, por edhe të pajtohet për këtë çështje.
Udhërrëfyesi, sipas tij, përfshin një sërë hapash, afatesh dhe përgjegjësish për të dyja palët.
Të gjitha afatet nisin nga momenti kur Elektrosever merr licencën për furnizim, tha Petkoviç.
“Elektrosever do të kryejë edhe shërbime të rëndësishme të shpërndarjes, ajo që kemi kërkuar dhe në të cilën kemi insistuar. Elektrosever do të kryejë shërbime të shpërndarjes, si: faturim, pagesa, mirëmbajtje e rrjetit dhe lidhje fizike e konsumatorëve. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse do të thotë se kemi autonomi në furnizimin e veriut të ‘Kosovës dhe Metohisë’ me energji elektrike”, tha Petkoviç.
Ai tha se pas kësaj marrëveshjeje është hapur rruga edhe për bisedime për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në vitin 2013, në kuadër të dialogut që ndërmjetëson BE-ja. Zbatimi i marrëveshjes në terren, megjithatë, ka ngecur.
Top Channel