Cristiano Ronaldo mund të largohet nga Manchester United, edhe pse në sezonin e fundit shënoi 24 gola në të gjithë kompeticionet. Legjenda portugeze ka edhe një vit kontratë, por ardhja e trajnerit të ri i ka prishur qetësinë.
Ten Hag nuk e ka CR7 pjesë të projektit të tij. Futbolli i holandezit do bazohet në qarkullim topi, shumë kilometra në fushë, bashkëpunim dhe përulësi, fjalë që vështirë të gjenden në fjalorin e pesë herë fituesit të “Topit të Artë”.
37-vjeçari përfiton 23 milionë euro në sezon dhe do e ketë të vështirë të sigurojë një pagë të njëjtë diku tjetër. Gjithsesi, paratë nuk janë problem për Ronaldon, që kërkon një klub ambicioz dhe që i jep mundësinë të jetë protagonist.
Në skenë ka dalë emri i Romës, që kërkon të rritet shpejt dhe të garojë për objektiva të mëdha nën drejtimin e Jose Mourinhos. “Special One” ka një marrëdhënie shumë të mirë me goleadorin e njohur.
Trajneri mund të ndikojë në rikthimin e Ronaldos në Serie A, kampionat ku luajti 3 sezone me bardhezinjtë e Juventusit (2018-2021), duke fituar dy tituj, një Kupë Italie dhe dy Superkupa.
Top Channel