PD kërkon “kokën” e Xhaçkës/ Opozita me kërkesë të re: T’i hiqet mandati ministres së Jashtme

20/06/2022 19:45

Demokratët kërkojnë t’i hiqet mandati i deputetes ministres Olta Xhaçka. Përmes një shkresë të depozituar në Kuvend grupi parlamentar i Partisë Demokratike synon të vendosë në lëvizje mekanizmin ligjor që do të shqyrtojë ligjshmërinë e mandatit të shefes së politikës së jashtme.

Në mocionin e grupit nismëtar të udhëhequr nga Gazment Bardhi te nenshkruar nga 14 deputet demokrat pretendohet se ministrja Xhaçka është në shkelje te mandatit pasi bashkëshorti i saj, ka përfituar statusin e investitorit strategjik në shkelje të Kushtetutës.

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike, në përputhje me nenet 70 dhe 71 të Kushtetutës dhe nenin 13 të Rregullores së Kuvendit, kërkon mbledhjen e menjëhershme të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, për të shqyrtuar papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, si dhe i kërkon Kuvendit të vendosë për dërgimin e çështjes për shqyrtim në Gjykatën Kushtetutese”.

Lëvizja e demokratëve erdhi pak minuta pasi socialistet rrëzuan përpjekjen e radhës së opozitarëve për nisjen e një hetimi parlamentar.

“PS kërkon të mbrojë qeveritarët që kanë lidhje ne këtë aferë”, tha Alibeaj.

“Nuk kishit asnjë fakt, kërkesa ishte në kundërshtim me Kushtetutën”, u shpreh Balla.

Në të shkuarën, Gjykata Kushtetuese ka dhënë vendime të ndryshme për rastet që lidhen me papajtueshmërinë e mandatit. Socialistët Ilir Beqaj në 2011 dhe Koço Kokëdhima në 2016 e humbën mandatin pasi u vërtetua se ata kishin përfituar para publike nën petkun e deputetit. Diçka e tillë nuk ndodhi me Rakip Sulin dhe Valentina Leskajn, ku ish-deputetja socialiste mund të konsiderohet si rast i përafërt, por jo i ngjashëm me ministren Xhaçka

Leskaj u akuzua se djemtë e saj kishin përfituar tender publik nga qeveria. Gjykata në atë kohë konstatoi se Leskaj nuk mbante përgjegjësi për fëmijët, të cilët ishin në moshë madhore dhe kishin kurorat e tyre familjare. Një gjë që nuk mund të thuhet në rastin Xhaçka.

Top Channel