19 marrëveshje u firmosën sot nga mbledhja e tetë e dy qeverive, Kosovës dhe Shqipërisë në Prishtinë.

Thellimi i bashkëpunimit në sektorët kyçë të ekonomisë si dhe lehtësimi i procedurave për shtetasit e dy vendeve ishin fokusi  kryesor i këtyre marrëveshjeve dypalëshe.

Palët dakordësuan marrëveshjen që i hap rrugë bashkimit doganor dhe lehtësive në tregtinë mes vendeve.

Marrëveshje u firmosën edhe për projekte me rëndësi në infrastrukturë dhe energji, duke vënë fokusin kryesisht te zhvillimi i Portit të ri të Durrësit që pritet të ketë edhe Portin e Thatë në Prishtinë si dhe projektin e hekurudhës Prishtinë-Durrës.

Palët shprehën angazhimin duke nënshkruar marrëveshje të tjera edhe në fushën e bujqësisë, turizmit, shëndetësisë, arsimit dhe sigurisë publike, qoftë në shkëmbimin e informacionit apo edhe përvojave mes dy vendeve në këto sektorë.

Palët kanë nënshkruar rreth 127 marrëveshje gjatë mbledhjeve të qeverive ndër vite, por deri më tani vetëm 65 prej tyre po gjejnë zbatim.

Firmosja e memorandumeve të reja të bashkëpunimi vjen në vazhdën e përpjekjeve për të lehtësuar gjithnjë e më shumë jetën e qytetarëve mes vendeve.

Top Channel