Giuseppe Marotta ka analizuar merkaton e Interit, duke zbuluar emrat me të cilët është mbyllur tashmë marrëveshja dhe të tjerë për të cilët drejtuesit po punojnë për t’i veshur zikaltër.
Administratori i deleguar i milanezëve u shpreh optimist për firmën me dyshen Lukaku-Dybala, por pranoi se ka ende shumë punë për t’u bërë dhe se te Interi kanë edhe një plan rezervë.
“Nuk e di a do ta kemi mbyllur merkaton deri në nisje të grumbullimit, por me siguri Inzaghi do të ketë një pjesë të mirë të titullarëve në dispozicion. MKhytarian dhe Onana prezantohen gjatë kësaj jave dhe po punojmë edhe për Dybalën e Lukakun. I njohim cilësitë e tyre, por nuk janë akoma të Interit, pasi duhen krijuar kushtet e duhura ekonomike, megjithatë kemi edhe plan B”, u shpeh Marotta.
Mbrojtja do të jetë reparti ku do të sakrifikohet për të arkëruar para dhe këtë e pranon edhe drejtuesi i Interit, duke lënë të nënkuptohet largimi i Milan Skriniar, që me shumë gjasë do të zëvendësohet nga Bremer.
“Në mbrojtje është më e lehtë të manovrosh, pasi sulmuesit janë të paktë dhe të shtrenjtë. Bremer po monitorohet, pasi është mbrojtës për skena të mëdha, megjithatë Ausilio dhe Bacin po merren me negociatat”, tha Marotta.
Top Channel