Një 42-vjeçar turk është arrestuar në Pogradec, pasi është dënuar me mbi 21 vite burg për mashtrim të rëndë përmes  sistemeve informative të bankave dhe të kartave të kreditit.

Përmes operacionit policor të koduar “Pojska” nga Fast Albania, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Pogradec dhe me Interpol Tiranën ra në pranga Salih Akkurt banues në Konya të Turqisë.

Atij i kanë mbetur për të kryer edhe 10 vite burgim, pasi është dënuar me 21 vite, 10 muaj e 15 ditë burgim për veprën penale “Mashtrimi i rëndë, duke përdorur sistemet informative të bankave dhe të kartave të kredit”, dhe së fundi i shpallur në kërkim për veprën penale “Largimi nga vendi i vuajtjes së dënimit”, fshihej në Pogradec.

Ai mashtronte qytetarët përmes ushtrimit të profesionit të fizioterapistit në qytetin e Pogradecit.

Shërbimet e Fast Albania, pas marrjes së informacionit se një shtetas, i shumëkërkuar nga Turqia fshihej në Pogradec, organizuan punën dhe pas disa ditë mbajtjeje nën kontroll, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Pogradec dhe Interpol Tiranën, finalizuan operacionin policor të koduar “Pojska”.

Si rezultat i këtij operacioni, në shëtitoren “10 Dëshmorët e Pojskës”, ai u kap dhe u vu në pranga, me qëllim ekstradimi.

“Ky shtetas ishte në kërkim ndërkombëtar pasi Zyra Qendrore Kombëtare e Interpol Tiranës është njoftuar nga Interpol Ankara, Turqi, se për këtë shtetas, më datë 05.05.2022, është lëshuar urdhër arresti nga Prokuroria e Izmirit, Turqi, në zbatim të vendimit nr. 2020/8992, të datës 30.12.2020, në bazë të të cilit, 42 vjeçari është dënuar me 21 vite, 10 muaj e 15 ditë burgim, nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur edhe 10 vite e 1 ditë burgim, për veprat penale “Mashtrimi i rëndë duke përdorur sistemet informative, të bankave dhe kartave te kredit” dhe “Largimi nga vendi i vuajtjes së dënimit”, të parashikuara nga legjislacioni turk.

Gjatë kontrollit fizik të këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan çeqe në shuma të mëdha monetare. Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Ankara, Turqi, dhe agjencitë ligjzbatuese vijojnë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Turqisë”, sipas policisë.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA