Egnatia është padyshim një nga klubet më aktive në këto javë të para të hapjes së merkatos, teksa pas ndryshimit të trajnerit, rrogozhinasit po ndryshojnë edhe organikën komplet.
Kështu stoli iu besua ish-ndihmësit të Orges Shehit, Edlir Tetovës, teksa deri tani klubi ka nënshkruar me portierin Alen Sherri, mbrojtësit Nehar Sadiki, Emiliano Musta e Renato Malota, si dhe sulmuesi Ilir Camaj.
Megjithatë lista e të larguarve është akoma më e gjatë dhe së fundi në të janë shtuar emrat e mesfushorit Besar Iseni dhe sulmuesit Ilirid Ademi, të cilët kanë mbyllur marrëveshjen me klubin rrogozhinas dhe janë në pritje për të mësuar të ardhmen.
Iseni ishte një titullar ia padiskutueshëm te rrogozhinasit dhe padyshim një nga pikat më të forta të mesfushës, ndërsa Ademi u transferua te Egnatia vetëm në janar, por kontribuoi jo pak për mbijetesën, me golat dhe asistet e tij.
Të dy shqiptarët nga Maqedonia e Veriut pritet të lënë një boshllëk jo të vogël në formacionin e Egnatias, megjithatë drejtuesit e klubit janë duke punuar për të sjellë të tjerë futbollistë që do të kompletojnë grupin në dispozicion të trajnerit Edlir Tetova./ SUPER SPORT
Top Channel