Një histori dashurie, megjithëse e mbyllur mes një 18 vjeçareje dhe 26 vjeçarit u bë shkak për vrasjen e këtij të fundit.
26 vjeçari, Martin Çeço nga fshati Kolanec i Maliqit u denoncua më 12 qershor i zhdukur nga ana e babait të tij. Pas njoftimit Policia e Korçës kreu kontrolle në terren dhe trupi i pajetë i të riut u gjet më 16 qershor në rezervuarin e fshatit.
Ngjarja ishte inskenuar si vetëvrasje, pasi buzë rezervuarit ishin lënë sendet personale të të riut. Por nga këqyrja e trupit të pajetë u vërejtën mavijosje në pjesën e qafës çka shtoi dyshimet e policisë.
Hetimet nxorën në dritë një krim pasioni ku ishin përfshirë 3 persona të identifikuar si Bleti Angjo, Valter dhe Edlir Mollaj.
Hetimet zbuluan se pak kohë më parë 18 vjeçarja e cila banon në një fshat të Voskopojës kishte nisur një marrëdhënie intime me 38 vjeçarin nga një fshat i Pogradecit, Bleti Angjo.
Kur ky i fundit kishte mësuar se nuk ishte i pari për vajzën, pasi ajo më herët kishte qenë e lidhur me Martin Çeçon, kjo ngjalli xhelozi që më pas prodhoi vrasjen.
38 vjeçari i dënuar më parë për vjedhje së bashku me dy miqtë e tij Valter dhe Edlir Mollaj shkuan në Maliq dhe takuan 26 vjeçarin, më pas me një litar e kanë mbytur dhe trupin e kanë hedhur në rezervuar.
Top Channel