Çmimi i Bitcoin zbriti poshtë 19 mijë dollarëve për herë të parë në gati dy vite të shtunën, ndërsa industria e kriptomonedhave vijon tkurrjen.
Monedha më e madhe digjitale ka shënuar një rekord me çmimin e saj që zbret për 12 ditë radhazi, ndërsa edhe Ethereum gjithashtu pësoi tronditje duke u tregtuar në nivelin e 975 dollarëve, më e ulëta që nga janari i vitit 2021. Nga pika e tyre më e lartë nëntorin e vitit të kaluar, monedhat kanë humbur 70% të vlerës.
Sipas ekspertëve ndikimin kryesor për këtë rënie galoponte e kanë dhënë inflacioni i lartë dhe rritja e normave të interesit nga bankat qendrore nëpër botë.
Në kushtet kur normat e interesit rriten instrumente të tjerë investimi si bonot dhe obligacionet e thesarit japin kthime më të larta, duke bërë që investitorët të largohen sa më shumë nga asetet e rrezikshme si kriptomonedhat apo aksionet.
Ndërkohë, edhe investitorë të njohur në botë duke filluar nga Warren Buffet tek Bill Gates i kanë cilësuar kriptomonedhat si flluska që nuk vlejnë asgjë, ndërsa çdo qeveri paralajmëron investimin në to, pasi nuk janë të siguruara nga asgjë.
Muajin e kaluar tregu i kriptove mori edhe një goditje të rëndë me monedhën digjitale “Luna”, vlera e së cilës pothuajse u zerua brenda natës duke bërë që shumë njerëz të humbisnin paratë e tyre.
Kriptomonedhat patën periudhën e tyre të artë nëntorin e vitit të kaluar kur Bitcoin kapi vlerën rekord të 69 mijë dollarëve. Nga ajo kohë kur tregu vlente rreth 3 trilionë dollarë, sot industria e kriptove është tkurrur në 870 miliardë dollarë.
Top Channel