Rritja e çmimeve të plehrave kimike dhe të naftës, bujkun shqiptar e kanë e vendosur të vështirësi të mëdha financiare.
Edhe pse kostot e prodhimit të fushave janë rritur, grosistët e vlerësojnë djersën e bujkut me çmimet e vitit të kaluar, atëherë ku një litër naftë kushtonte 100 lekë më lirë.
Sipas fermerit të drithërave, Franc Kaloshi, arsyeja pse çmimi i grurit në këto 30 vite kurrë nuk ka ndryshuar, janë 4 fabrikat e mëdha të miellit.
” Unë vjet e kam shitur me 350 mijë lek tonin. Një vitë më parë e blija karburantin me 155 lekë për litër, këtë vit e blej 260 lekë për litër. Një ton ure unë vjet e kam blerë 500 mijë lekë,sivjet unë e kam blerë 1.400.000 lekë tonin. Cilësia parë duhet të ketë një cmim 500 mijë lekë tonin”, shprehet fermeri Franci Kaloshi.
Por, tregtarët e pangopur nuk do të jenë shqetësimi i vetëm për fermerët, pasi në vitin 2023 është parashikuar që edhe fermerët ashtu si profesionet e lira do të taksohen.
“Si mund ta taksosh një fermer. Në të gjithë botën fermerët subvencionohen, iu sigurohet prodhimi, tregu, magazinimi, mbrojta ndaj kushteve atmosferike. Këtu diskutohet për të na taksuar?! Çfarë do të na taksojnë çfarë do të na marrin, s’na ka mbetur më asgjë”, shton ai.
Një nga sektorët e bujqësisë po rrezikon të zhduket është blegtoria.
Fermeri nga fshati Bicakaj e Vogël e Lushnjes, pasi emigroi për 27 vjet në Greqi, tre vite më parë vendosi të investonte në vendlindje duke ngritur stallën e të imtave. Ai thotë se dikur në fshatin Bicakaj të Vogël të Lushnjës, kishte mbi 1500 kokë gjedhë, ndërsa sot nuk numërohen as 30 lopë. Sipas Gencit, të taksosh fermerët që mbarështojnë gjë të gjallë do të thotë, tu vendosësh drynin edhe atyre pak fermave që kanë arritur të mbijetojnë.
“Këtu është fshati 600 shtëpi, të gjithë kanë pas nga 2-3 kokë lopë, ndërsa tani i gjithë fshati nuk ka as 30 lopë. Nuk do taksa fermeri, por mbështetje nga shteti, sepse përndryshe këtu ka mbaruar punë. Qumështi nga Serbia, gruri na Serbia,elbi nga Serbia”, shprehet blegtori Genc Duda.
Është koha që bujqësia të subvencionohet dhe jo të taksohet, thotë fermeri nga fshati Këmishtaj. Sipas tij janë të mjaftueshme taksat që paguan bujku shqiptar që një kilogram domate e shet 20 lekë të reja tek pikat e grumbullimit.
” Ja kjo është domatja që unë kam shitur sot me 2 mijë lekë arkën”.
“Çfarë takse do të marrë nga unë, kur unë paguan taksë tek karburanti, taksë toke, taksa të ujit. Të gjitha këto janë mbi kurrizin tonë dhe ne s’na jepet asnjë ndihmë”, thotë fermeri.
Taksimit i bujqësisë do të detyrojë fermerët të braktisin tokat bujqësore. Nëse fshati mbetet pa bujq, qytetit i ikën ushqimi.
” Nuk do të ketë më ushqim, nuk do të ketë më drithëra, nuk do të ketë më njerëz të punësuar. Kaos.”
Top Channel