“Air Albania” mbyll dyert, Partizani zbulon stadiumin për ndeshjet europiane

18/06/2022 13:43

Partizani fitoi të drejtën për të luajtuar në turin e parë të Conference League teksa e mbylli kampionatin në vendin e tretë.

Në shortin e hedhur në Nyon të Zvicrës, të kuqtë mund të cilësohen me fat pasi “peshkuan” klubin gjeorgjian të Saburtalos dhe konsiderohen favoritë për të kaluar më tej.

Sipas asaj që përcaktoi shorti, Partizani do ta luajë ndeshjen e parë në transfertë më datë 7 korrik ora 18:00, ndërsa atë të kthimit në Shqipëri një javë më pas, më datë 14 korrik, ora 20:00. Por, duket se ka një ndryshim në axhendë pasi të kuqtë nuk do ta luajnë në kryeqytet ndeshjen e kthimit, pra në stadiumin Air Albania.

Sipas një njoftimi të fundit nga ana e klubit, impianti modern i kryeqytetit do të mbyllë dyert pasi do t’i nënshtrohet mbjelljes së barit. Në këtë formë, Partizani është i detyruar të luajë në Elbasan, ndërsa me siguri ky është një lajm i keq edhe për tifozerinë e kuqe që do të duhet të jetë e shumtë në numër për të përkrahur ekipin e zemrës në aventurën europiane.

Njoftimi i Partizanit:

Klubi Partizani dëshiron të njoftoj opinionin publik dhe në veçanti tifozerinë e kuqe në lidhje me zhvillimin e ndeshjes së kthimit ndaj Saburtalo në program dt.14 korrik ora 20:00 në “Elbasan Arena” e vlefshme për turin e parë të Conference League.
Saktësojmë se luajtja e ndeshjes në stadiumin “Elbasan Arena” është e kushtëzuar, pasi drejtoria e stadiumit “Air Albania” ka vlerësuar që të mbjellë barin gjatë kësaj periudhe, kur ekipet shqiptare garojnë në kompeticionet europiane.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA