​Osmani: Liberalizimi i vizave për Kosovën, vendim i lehtë për BE-në

18/06/2022 09:32

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në intervistë për RTV Dukagjinin ka deklaruar se liberalizimi i vizave për Kosovën është vendim i lehtë për Bashkimin Evropian (BE), pasi që sipas saj nuk ka asnjë arsye që vendimi i tyre të zvarritet.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se liberalizimi i vizave për Kosovën do të ishte vendim i lehtë për Bashkimin Evropian (BE), pasi që sipas saj nuk ka asnjë pengesë, dhe asnjë arsye që vendimin e tyre të e zvarritin.

“Liberalizimi i vizave për Kosovën, do duhet të ishte vendim shumë i lehtë për BE-në, nuk ka asnjë pengesë, Kosova nuk prodhon mërgim ilegal, krimi dhe korrupsioni luftohen në një nivel që është duke u njohur nga raportet ndërkombëtare, prandaj meqenëse këto shtete në aspektin bilateral po e inkurajojnë Kosovën të vazhdojë me reforma të tilla, nuk ka nevojë për zvarritje”, ka deklaruar Osmani në intervistë për RTV Dukagjinin.

Sipas saj, është momentum shumë i rëndësishëm pasi më 23 qershor në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, që do të mbahet në Bruksel, do të jepet një mesazh gjeopolitik në raport me Ukrainën dhe shtetet e tjera, dhe se sipas saj do të jepet edhe një mesazh i rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor si pjesë e Evropës.

“E që për Kosovën kjo nënkupton liberalizimin e vizave në këtë moment po pas disa muajsh, për Kosovën përgjigjja do të duhej të ishte një “po” ,në raport me status kandidatin”, ka thënë Osmani për RTV Dukagjinin.

Po ashtu, nga “Forumi i Prespës për Dialog”, i cili po mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut, me temën “Ndërtojmë së bashku siguri të qëndrueshme evropiane”, Osmani ka thënë se kanë dhënë një mesazh bashkë me presidentët e rajonit që ishin pjesë e Forumit, të cilët e kishin përkrahur Kosovën, sipas saj, jo vetëm për liberalizimin e vizave, por edhe për njohjen e Kosovës dhe integrimin e saj në BE.

Osmani është pyetur se cilat janë gjasat që në këtë mbledhje të jepet një mesazh pozitiv apo kërkesë adresuar institucioneve që e kanë në dorë brenda BE-së këtë çështje, ajo ka thënë se është bërë e ditur që votimi formal nuk do të bëhet, por mesazhi politik në atë samit mund të jepet.

Po ashtu, Osmani ka thënë se mjafton që shtetet anëtare të shprehen të gatshme për të përkrahur liberalizimin e vizave, dhe se do të pritet që edhe shtetet që nuk e kanë përkrahur Kosovën tani të japin sinjale.

“Neve tashmë na është bërë e ditur nga institucionet e BE-së, që votimi formal nuk do bëhet në atë vend, por do ketë një mesazh politik në atë samit, pra, mjafton që vendet anëtare të shprehen të gatshme për liberalizim të vizave, do të presim që edhe këto 2-3 shtete të japin sinjale pozitive në qershor, por edhe nëse nuk ka përgjigje, institucionet tona po punojnë që të adresojnë këto çështje, veç e veç me to”, është shprehur Osmani, për RTV Dukagjinin.

Në samitin e të enjtes së ardhshme, Osmani ka deklaruar se nuk është strategji e mirë që duhen të rriten pritjet, pasi që, sipas saj kanë punuar me shtetet veç e veç, që secila prej shteteve anëtare e njohin kontributin që Kosova është duke dhënë në raport me çështjet globale.

“Nuk besoj që është strategji e mire që të rriten pritjet, kemi punuar me shtetet individuale, shtetet anëtare e dinë që Kosova po kontribuon në raport me çështjet globale, dhe po i zhvillon të gjitha vlerat”, ka thënë Osmani.

Ndërsa, sipas saj nuk duhet të paragjykojmë vendimin e tyre politik, pasi që fjalën e fundit do ta japin shtetet anëtare, sipas saj duhet të punohet shumë dhe qytetarët asnjëherë të mos humbasin shpresën, pasi që është padrejtësi e madhe ndaj tyre.

“Fjalën e fundit do ta japin shtetet anëtare, nuk do të doja të paragjykoja se cili do të jetë vendimi i tyre në fund”, ka deklaruar Osmani.

Ndërsa, Osmani ka diskutuar edhe për çështjen nëse Kosova do të aplikojë këtë vit për të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian (BE), ku sipas saj, është në planet e tyre që të aplikohet këtë vit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA