Pastrimi i sistemit të drejtësisë/ Pesë vite Vetting! Numërohen 200 shkarkime , KPK bën bilancin

17/06/2022 09:49

Sot mbushen plot 5 vite nga miratimi i ndryshimeve Kushtetuese që i hapën rrugë Vettingut, për pastrimin e sistemit të drejtësisë nga gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar.

KPK ka analizuar procesin në 5 vite vetting, kur 12 komisionerët e votuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, nën mbikëqyrjen e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), nisën zyrtarisht ushtrimin e detyrës më 17 qershor 2017, bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Ligjin nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

“Misioni të cilin morën përsipër 12 anëtarët e Komisionit nuk ishte vetëm detyrim kushtetues dhe ligjor për të kryer procesin e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, me synim rikthimin e besimit të publikut te gjyqësori, por edhe përgjegjësi e lartë personale e profesionale në funksion të ndërtimit të një sistemi të pavarur, të drejtë e të paanshëm.

Në 8 shkurt 2018, Komisioni në dhomë këshillimi mori vendimin e parë dhe sot, më 17 qershor 2022, ai numëron në total 535 vendime, prej të cilave 209 konfirmime në  detyrë, 200 shkarkime,  88 pushim/ndërprerje procesi,  35 përfundim procesi pa vendim perfundimtar, si dhe 3 vendime pezullim nga detyra (raporti statistikor).

Deri në fund të mandatit të Komisionit, mbeten për t’u rivlerësuar edhe 270 subjekte, me qëllim përmbylljen e vettimit të listës së plotë prej 805 subjektesh (gjyqtarë, prokurorë, ndihmës/këshilltarë ligjorë).

Gjatë këtyre 5 viteve, anëtarët e Komisionit janë përballur me sfida të ndryshme profesionale, por edhe personale. Përgjatë këtij rrugëtimi, KPK ka patur mbështetjen dhe ekspertizën e vazhdueshme të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, të cilin gjen rastin edhe njëherë ta falenderojë.

Po ashtu, Komisioni shpreh mirënjohje dhe falenderim për rolin e luajtur nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mbështetje të procesit të rivlerësimit.

Transparenca, llogaridhënia dhe informimi i publikut mbi procesin e vettingut, që nga dita e parë e punës, konsiderohen si shtylla të rëndësishme të veprimtarisë së Komisionit. Prandaj, shprehim falenderim edhe për mediat kombëtare, lokale e ndërkombëtare për angazhimin dhe vëmendjen e kushtuar. Për KPK, media mbetet një partner i rëndësishëm.

Komisioni nënvizon se gjatë 5 viteve të funksionimit të tij ka kryer me paanshmëri, profesionalizëm dhe angazhim të lartë procesin e rivlerësimit. Në vijim, edhe me zgjatjen e afatit kushtetues nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, secili nga anëtarët e trupës do të vijojë me përkushtim detyrën, duke i qëndruar besnik Kushtetutës dhe ligjeve, për të shpërblyer besimin e publikut.

Komisioni i Pavarur i Kualikimit në 5 vjet funksionim ka dhënë 535 vendime, nga të cilat:
· 209 vendime për konfirmimin në detyrë të 105 gjyqtarëve, 92 prokurorëve,
2 ish- inspektorëve në KLD, 1 inspektori në KLGJ dhe 9
ndihmësve/këshilltarë ligjorë;
· 200 vendime për shkarkimin nga detyra të 122 gjyqtarëve, 75 prokurorëve,
1 inspektori në ILD dhe 2 ndihmësve ligjorë;
· 80 vendime për ndërprerje të procesit për 49 gjyqtarë, 21 prokurorë, 2 ishinspektorëve në KLD dhe 7 ndihmësve ligjorë + 1 ish-prokurori; (Neni G i
Aneksit të Kushtetutës);
· 8 vendime për pushimin e procesit për 3 gjyqtarë, 1 prokuror dhe 4
ndihmës ligjorë në Gjykatën e Lartë (neni 56 i ligjit nr. 84/2016);
· 35 vendime për përfundimin e procesit për 22 gjyqtarë, 11 prokurorë
dhe 1 ish- Kryeinspektori i KLD-së dhe 1 ish-Inspektori ILD (neni 95 i
Kodit të Procedurave Administrative dhe neni 64 i ligjit nr. 96/2016);
· 3 vendime për pezullimin nga detyra të 3 prokurorëve.” thuhet në analizë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA