Pa kaluar 24 orë nga të shtënat me armë zjarri në Velipojë, ku u plagos rëndë një person, një tjetër atentat ndodhi në Shkodër, por këtë herë me një viktimë.
Lulash Qepuri, 76 vjeç mbeti i vrarë mbrëmjen e së mërkurës, pasi ndaj tij u qëllua disa herë me armë.
Ai ka qenë duke qëndruar në lokalin e tij, në fshatin “Stom Golem”, në momentin kur një person i maskuar është afruar duke hapur zjarr ndaj tij.
Në vendin e ngjarjes ka qenë edhe i biri i viktimës, teksa edhe ai dyshohet se ka marrë një armë dhe ka qëlluar ndaj autorit të maskuar por ky i fundit është larguar me shpejtësi dhe ka hipur në një automjet.
Menjëherë, i riu ka telefonuar policinë dhe u ka thënë se i kanë vrarë babanë.
Qepuri ka shkuar në spital në gjendje kritike për jetën, dhe pavarësisht ndërhyrjes së bluzave të bardha, nuk u ka mbijetuar dot plagëve të marra.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur 26 gëzhoja të dala nga armët e përdorura ndërsa një shotgun është gjetur në tokë, në hyrje të lokalit.
Policia ka shoqëruar në komisariat të birin e viktimës, i cili ka treguar se autori i maskuar është afruar në këmbë drejt lokalit dhe menjëherë ka hapur zjarr.
Ndërkohë janë siguruar edhe pamjet e një kamere sigurie e cila ka fiksuar momentin e ngjarjes.
Lulash Qepuri ishte i sëmure prej kohesh. Ai ishte arrestuar në vitin 2011 pasi gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin dhe në banesën e tij ngjitur me lokalin, janë gjetur dhe sekuestruar armë zjarri, municione luftarake si dhe fara të bimës narkotike kanabis sativa.
Top Channel