Presidenti Joe Biden nënshkroi një urdhër ekzekutiv të mërkurën që synon të luftojë projektligjet e debatueshme për komunitetin LGBTQI+ që janë paraqitur në legjislaturat shtetërore republikane në mbarë vendin.
Urdhri i presidentit Biden vjen ndërsa administrata amerikane festoi Muajin e Krenarisë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës pranë Shtëpisë së Bardhë, Patsy Widakuswara njofton.
Qershori është muaji i krenarisë në Shtetet e Bashkuara, kur pjesëtarë të komunitetit LGBTQI+ festojnë arritjet e tyre dhe bëjnë presion për barazi të plotë.
“Prania ime këtu është një dëshmi se ne po luftojmë. Sepse jeta jonë është e bukur dhe e denjë. Ne meritojmë respekt dhe dashuri. Dhe derisa ta kemi këtë, ne do të luftojmë”, thotë aktivisti Javier Gomez.
Shtëpia e Bardhë zhvilloi një ceremoni të mërkurën për Muajin e Krenarisë. Zyrtarët thonë se përmes vendimeve ekzekutive, ata po ndërmarrin hapa shtesë për të rritur barazinë dhe për të dënuar diskriminimin, duke përfshirë parandalimin e të ashtuquajturës “terapia e konvertimit” që synon të ndryshojë identitetin seksu9al, ose gjinor të të rinjve LGBTQI+.
President Joe Biden: “Kjo është hera e parë që qeveria federale po synon një përgjigje të koordinuar kundër kësaj praktike të rrezikshme dhe të diskredituar”, tha presidenti Biden.
Biden dënoi një mori të fundit projektligjesh që prekin të drejtat e komunitetit LGBTQI+ të miratuara nga legjislaturat e shteteve republikane në mbarë vendin.
Në Florida, ligjet e reja, që do të hyjë në fuqi më 1 korrik, ndalojnë diskutimin në klasë për orientimin seksual dhe identitetin gjinor për fëmijët e kopshtit e deri në klasën e tretë. Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, kohët e fundit urdhëroi shërbimet sociale t’i konsiderojnë si abuzime rastet e prindërve që u ofrojnë fëmijëve të tyre shërbime mjekësore në mbështetje të ndryshimit të gjinisë.
“Unë mendoj se administrata po e sheh me kujdes këtë situatë dhe do të bëjë gjithçka që mundet për të parandaluar, zbutur dhe frenuar këtë sulm ndaj pjesëtarëve të komunitetit LGBT “, thotë Dwayne Kwaysee Wright me Universitetin “George Washington”.
Komuniteti LGBTQI+ përballet gjithashtu me kërcënime në rritje nga grupet të ekstremit të djathtë. Të shtunën, 31 anëtarë të një grupi supremacist të bardhë, të quajtur Fronti Patriot, u arrestuan në Ajdëho me dyshimin se kishin planifikuar një trazirë për të prishur një ngjarje të komunitetit.
Mes këtyre kërcënimeve, administrata ka qenë e prirur të nënvizojë një mesazh përfshirjeje. Karine Jean-Pierre, u bë gruaja e parë me ngjyrë dhe homoseksuale, që u emërua si Sekretare e shtypit e Shtëpisë së Bardhë në muajin maj.
“Ne punojmë në mbarë globin për të mbrojtur personat LGBTQI+ nga dhuna, abuzimi, krimi, diskriminimi dhe stigma. Ne fuqizojmë lëvizjet dhe komunitetin lokalë LGBTQI+. Ne e bëjmë këtë përmes kanaleve dypalëshe dhe shumëpalëshe”, tha Karine Jean-Pierre.
Ajo nuk tha nëse presidenti Biden do të përcillte këtë mesazh kur të takohet me mbretin Salman në Arabinë Saudite muajin e ardhshëm. Zyrtarët e Mbretërisë së fundmi sekuestruan objekte dhe veshje me ngjyrë ylberi nga dyqanet në kryeqytetin Riad, si pjesë e një goditjeje ndaj homoseksualitetit./VOA
Top Channel