Numri ka ardhur gjithmonë në rritje/ Publikohet bilanci i frikshëm i refugjatëve të larguar në të gjithë botën

16/06/2022 19:45

Raporti i Trendeve Globale të UNHCR-së ka publikuar shifrën rekord të largimeve të njerëzve nga shtëpitë e tyre, ku raportohet për më shumë se 100 milionë.

Agjencia e OKB-së fillimisht njoftoi shifrën rekord në maj, ndërsa së fundmi ka sjell një përditësim duke treguar një rritje të ndjeshme të shifrave.

UNHCR thotë se shifra e fundit e zhvendosjes së detyruar përfshin 60.1 milionë persona të zhvendosur brenda vendit, 32.1 milionë refugjatë, 4.5 milionë azilkërkues dhe 4.4 milionë venezuelianë të zhvendosur jashtë vendit.

Vendi më i prekur i largimeve është Ukraina, ku miliona prej tyre janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre.

Raporti i OKB-së i publikuar të enjten fokusohet kryesisht në vitin 2021, duke vënë në dukje se ai vit ishte me një numër të lartë largimesh për shkak të konflikteve, ekonomisë, dhunës ose abuzimeve. Në shifrat e publikuara këtë fillim të këtij viti nuk ishin sërish në një numër të konsiderueshëm.

Sipas CNN, më shumë se 7 milionë ukrainas u zhvendosën brenda vendit për shkak të luftës, dhe më shumë se 6 milionë refugjatë janë larguar nga Ukraina.

“Është një nga krizat më të mëdha të zhvendosjes së detyruar që nga Lufta e Dytë Botërore, dhe sigurisht më e shpejta”, thuhet në raport.

Aty shpjegohej se më shumë se dy të tretat e numrit të refugjatëve dhe venezuelianëve të zhvendosur jashtë vendit erdhën nga vetëm pesë vende: Siria (6.8 milionë), Venezuela (4.6 milionë), Afganistani (2.7 milionë), Sudani i Jugut (2.4 milionë) dhe Mianmari ( 1.2 milionë).

Numri i njerëzve të zhvendosur në mbarë botën është rritur çdo vit gjatë dekadës së fundit dhe qëndron në nivelin më të lartë që nga fillimi i mbajtjes së të dhënave.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA