Kuvend/ Shehu: Jeni në shkelje! Balla: Më 7 Korrik seancë të posaçme për gjenocidin në Srebrenicë!

16/06/2022 10:30

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. Taulant Balla ka deklaruar gjatë seancës plenare se seanca për të dënuar gjenocidin në Srebrenicë do të mbahet më 7 korrik në Kuvend.

Ai u shpreh se do të jenë të ftuar edhe përfaqësues të qeverisë së Bosnje Hercegovinës dhe familjarë të viktimave nga ky gjenocid.

“Kemi rënë dakord që Kuvendi të mbajë një seancë të posaçme për këtë çështje. Nuk do të mbahet në datë 11 korrik. Kam kërkuar të mbahet në datë 7 korrik ku natyrshëm të mbahen fjalët e rastit dhe dokumenti të jetë serioz ku Kuvendi i Shqipërisë të shprehë qartë dënimin dhe vijimin e qëndrimeve të qeverisë shqiptare në lidhje me pandëshkueshmërinë e këtij gjenocidi.
Do ftojmë edhe përfaqësues të shtetit të Bosnje Hercegovinës dhe familjarë të viktimave të këtij gjenocidi. Në datë 7 korrik Kuvendi i Shqipërisë në një pjesë të seancës të ketë një moment të posaçëm për kujtimin e viktimave në gjenocidin e Srebrenicës. Kuvendi i Shqipërisë merr dhe qëndrimin përkatës për këtë çështje”,  tha Balla.

Pas Ballës, mori fjalën nga vendi edhe deputeti demokrat Tritan Shehu i cili theksoi se rezoluta është paraqitur nga ata dhe se duhej të ishte diskutuar shumë kohë më parë.

“Rezoluta është paraqitur prej nesh dhe s’është diskutuar akoma në seancë. Jeni në shkelje të rëndë në këtë parlament, të asaj që duhet të bëni, edhe kryetarja që s’është këtu sot, presim absolutisht ditën kur do të diskutohet në konferencën e kryetarëve”, tha Tritan Shehu.

Top Channel