Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë Drejtues i Parë Lorenc Panganika, në konferencë për shtyp për finalizimin e operacionit policor të koduar “Silent”, i zhvilluar nga Sektori kundër Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, si rezultat i të cilit u sekuestruan arsenal armësh, municione luftarake, si dhe u zbulua dhe u shkatërrua një punishte që shërbente për modifikimin e armëve të zjarrit, silenciator dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Jemi sot këtu, për të bërë prezent finalizimin e një operacioni shumë të rëndësishëm, që ka të bëjë me parandalimin e tregtimit të armëve të zjarrit dhe prodhimit e modifikimit të silenciatorëve.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka finalizuar operacionin policor të koduar “Silent”, në kuadër të të cilit është zbuluar një bazë ku prodhoheshin silenciatorë dhe modifikoheshin armët e zjarrit. Si rezultat janë sekuestruar arsenal armësh të llojeve pistoletë e kallashnikov, silenciatorë, municion luftarak, pjesë të ndryshme armësh etj.
Në datën 15.06.2022, mbi bazën e informacioneve policore, nga Sektori kundër Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, se në një banesë në rrugën “Shaqir Shima”, në Kodër Mëzez, ushtrohej aktivitet kriminal për prodhimin, shitjen dhe tregtimin e armëve të zjarrit, u organizua puna dhe u finalizua me sukeses operacioni policor i koduar “Silent”, gjatë të cilit u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetaseve:
Pas verifikimeve të informacioneve policore, në datën 15.06.2022 u organizua puna dhe u ushtrua kontroll në banesën e shtetasit Ervis Bakalli, në rrugën “Shaqir Shima”, në Kodër Mëzez. Në një ambient brenda rrethimit të banesës së këtij shtetasi, të përshtatur si punishte, u konstatuan makineri si: torno, freza dhe vegla të tjera pune që shërbenin për prodhimin dhe modifikimin e pjesëve/mekanizmave të armëve të zjarrit, si dhe për prodhimin e silenciatorëve të armëve.
Në momentin e ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, në këtë ambient janë gjetur duke punuar shtetasit Ervis Bakalli dhe Dorian Kalo, të cilët u arrestuan në flagrancë.
Gjatë kontrollit të ambienteve të punishtes dhe ambientit përpara rrethimit të banesës së shtetasit Ervis Bakalli, ku ishte i parkuar dhe automjeti në përdorim nga ky shtetas, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale:
8 armë zjarri të llojit pistoletë, 3 armë zjarri automatike, 4 zhurmues si ato të armëve të zjarrit pistoletë, silenciatorë, pjesë të ndyshme armësh, një thikë, makineria që shërbente për prodhimin dhe modifikimin e pjesëve të armëve të zjarrit, municion luftarak dhe sende të tjera prej metali që përdoren për modifikimin dhe prodhimin e silenciatorëve të armëve të zjarrit, valixhe me pjesë armësh për modifikim, një sasi parash dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Të gjitha armët dhe sendet e tjera të sekuestruara do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminime të mëtejshme, për të vërtetuar nëse këto armë janë përdorur në ngjarje kriminale të ndodhura më parë.
Theksojmë se aksesorët për modifikimin e armëve dhe silenciatorëve vijnë në rrugë ilegale, nga jashtë vendit.
Strukturat hetimore të Sektorit për Krimet e Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, po vijojnë punën për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal që cënon rëndë rendin dhe sigurinë publike dhe sigurinë e jetës së qytetarëve.
Po punohet intensivisht, në bashkëpunim dhe me agjencitë e tjera ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, për të zbardhur këtë aktivitet kriminal, pasi nga hetimet e deritanishme dyshohet se këto armë bliheshin nga persona me precedent të theksuar kriminal, anëtarë të grupeve kriminale, me qëllim kryerjen e veprave të rënda penale kundër personit.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në bashkëpunim të ngushtë me Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, po punon intensivisht duke angazhuar specialistët më të mirë të Policisë Kriminale, me qëllim zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë.
Garantojmë qytetarët se Policia e Shtetit është e angazhuar dhe e vendosur për të luftuar pa kompromis krimin në përgjithsësi dhe atë të organizuar në veçanti dhe në këtë kuadër kërkon edhe një herë bashkëpunimin e qytetarëve për të denoncuar në Komisariatin Dixhital dhe në 112, çdo rast të paligjshmërisë, me qëllim krijimin e një ambienti social sa më të sigurt.
Top Channel