Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka sqaruar urdhrin e ndalimit të publikimit të dëshmive të Nuredin Dumanit dhe Henrik Hoxhajt, ku pretendon se i referohet vetëm një gazetari.

Në njoftimin për shtyp, SPAK sqaron se gazetari i Ora News, Elton Qyno ka publikuar disa te dhëna sekrete, që shkonin përtej vendimeve të gjykatës. Prokuroria thekson se urdhrin “Për ruajtjen e sekretit, ndalimin e publikimit  të akteve dhe përmbajtjes  së tyre’’ ia ka adresuar  vetëm një gazetari dhe për arsyen e nxjerrjes së sekreteve.

“Nisur  nga  interpretimet e bëra në media, lidhur me urdhërin  e prokurorëve të  Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, datë 14.06.2022 ‘’Për ruajtjen e sekretit, ndalimin e publikimit  të akteve dhe përmbajtjes  së tyre’’ sqarojmë se ;

Ky urdhër  i është komunikuar në datën 16.06.2022 gazetarit E.Q, kundrejt nënshkrimit  për marrjen dijeni,  pasi gazetari  ka publikuar disa te dhëna sekrete, që shkonin përtej vendimit të gjykatës me objekt  caktimin e masave të sigurimit personal ‘’arrest në burg’,  në kuadër të procedimit penal nr.75/2022 dhe që në përputhje me nenin 295/a/4 të Kodit Penal përbëjnë akte sekrete  të procedimit penal nr.75/2022.

Sqarojmë se  Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, këtë urdhër  ia ka adresuar  vetëm një gazetari dhe për arsyen konkrete të sipërcituar.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, po kryen te gjitha veprimet hetimore të nevojshme  për  të sqaruar rrethanat  në të cilat informacioni  hetimor sekret është  transmetuar  tek personat që më pas e kanë publikuar atë, me qëllim vënien përpara përgjegjësisë të personit/personave që ka/kanë nxjerrë sekretin hetimor.

Ne mirëkuptojmë interesin e mediave për informimin e opinionit publik, por ky interes nuk  mund  dhe nuk duhet të cënojë një hetim të filluar dhe as sigurinë publike apo individuale të personave emrat e të cilëve janë përmenduar gjatë hetimit, i  cili  vazhdon”, sqaron SPAK.

SPAK urdhëroi ndalimin e publikimit të dëshmive të Nuredin Dumanit dhe Henrik Hoxhajt duke kërcënuar me burgosje gazetarët. Shkresa u bë publike sot nga gazetari i Ora News Elton Qyno, i cili u paralajmërua nga tre prokurorët e posaçëm të ‘Plumbit të Artë’ që vijon të ketë në arrati disa nga personazhet kyç të hetimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA