Ka agravuar situata në protestën e veteranëve që po mbahet në Kosovë ditën e sotme.
Shoqatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë përplasur me policinë dhe kanë rrëzuar derën duke hyrë në ambientet e e oborrit të Kuvendit.
Kjo protestë po organizohet pasi veteranët janë të indinjuar që deputetët të martën miratuan në parim projektligjin për caktimin e pagës minimale i cili i mënjanon ata.
Projektligji i miratuar parasheh rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto, apo 250 euro neto, nga 130-170 sa është aktualisht.
Projektligji, megjithatë, nuk e parasheh lidhjen e pagës minimale me pensionin e veteranëve, siç ka qenë në të kaluarën. Në rast se miratohet edhe në leximin e dytë ashtu siç është, veteranët do të vazhdojnë të marrin pension në vlerë 170 euro.
Veteranët kanë kërkuar që ky Projektligj të mos miratohet edhe në një protestë që kanë zhvilluar para Kuvendit më 6 qershor.
Projektligji i miratuar në parim është kundërshtuar edhe nga partitë opozitare në Kosovë, duke u konsideruar si diskriminues ndaj veteranëve.
Top Channel