Vuçiç në Francë: Serbia s’është në linjë me politikën botërore për shkak të Kosovës, duhen vendime të guximshme Presidenti serb Aleksandar Vuçiç nuk lëshon pe lidhur me njohjen reciproke të Serbisë dhe Kosovës, duke thënë se ajo është dëshirë e Bashkimit Europian, por jo e Serbisë.
Deklarata e tij erdhi si reagim ndaj raportit të Parlamentit Evropian për Serbinë, ku për herë të parë shkruhet shprehimisht pritshmëria e BE-së për “njohje reciproke” mes Serbisë dhe Kosovës.
“Njohja reciproke është dëshira e tyre, është mirë që ata e duan, por ne nuk e duam. Dhe siç thashë – të gjithë kanë punën e tyre, ata kanë të tyren, ne kemi tonën”, tha Vuçiç.
Vuçiç theksoi se nuk e kundërshton rëndësinë e dokumentit të miratuar nga Parlamenti Europian, por shprehu besimin se “përbërja e re e parlamentit dhe qeveria e re në Serbi do të konfirmojnë gjithçka që ai ka deklaruar sot”.
Kreu i shtetit serb theksoi po ashtu se korniza e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë duhet të fokusohet mbi “normalizimin e marrëdhënieve” mes dy vendeve, dhe jo tek njohja.
Komisioni i Parlamentit Europian për Politikën e Jashtme miratoi të martën raportet për Kosovën, Serbinë dhe Bosnjën e Hercegovinën.
Për herë të parë, Parlamenti Europian e artikuloi hapur se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit duhet të “bazohet në njohjen reciproke”.
Top Channel