Presidenti i vendit, Ilir Meta ka reaguar në lidhje me shqetësimin e ngritur nga avokatët dhe qytetarët për hartën e re gjyqësore që sjell shkrirjen e 18 gjykatave.
Meta thekson se nisur nga numri i vogël i gjyqtarëve në sistem sot, por dhe nga numri i lartë i çështjeve gjyqësore stok të mbartura dhe të pashqyrtuara, nëse harta e re gjyqësore do të miratohet përfundimisht sipas propozimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, atëherë natyrshëm do të kemi:
shkelje të rëndë të të drejtave dhe lirive themelore të individit, të mbrojtura posaçërisht nga Kushtetuta.
Kufizim/cenim të aksesit në sistemin e drejtësisë; Rritjen e kostove për qytetarin dhe përdoruesit real të gjykatave, si dhe gjithë profesionet e lira të lidhura me sistemin gjyqësor;
Tronditje të sistemit gjyqësor në tërësi përgjatë fazës tranzitore; Përqendrim të vendimmarrjes së formës së prerë, vetëm në disa gjyqtarë në Tiranë;
Përmes vështirësive, kohës së gjatë të pritjes për një vendim, si dhe rritjes së kostove të ndjekjes së rrugës gjyqësor, do të rritet ndjeshëm humbja e interesit të qytetarit për të ndjekur rrugën ligjore, dhe kjo natyrshëm përligj shqetësimin se mund të sjellë rritjen e fenomenit të vetëgjyqësisë.
Sipas presidentit, qytetarët kanë nevojë për një sistem drejtësie, jo vetëm të pavarur, por dhe plotësisht funksional, eficient, në funksion të tyre.
Meta shprehet se sërish nuk konstatohet një angazhim i plotë, objektiv dhe gjithëpërfshirës për të marrë masat e duhura, legjislative, vendimmarrëse, apo organizative për mënyrën e plotësimit sa më të shpejt dhe me cilësi të të gjitha vakancave që janë krijuar dhe po krijohen në vijimësi në këto gjykata.
“Ky riorganizim i ekstremisht i përqendruar sipas draftit të hartës së re gjyqësore të miratuar nga KLGJ në datë 10 qershor 2022, përpiqet t’i fsheh problematikat me të cilat përballet sistemi i drejtësisë sot, por nuk e zgjidh problemin e vakancave tepër të mëdha, mungesës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, dhe as përshpejtimin e proceseve gjyqësore dhe evadimin e stokut të çështjeve gjyqësore të mbartura dhe të patrajtuara që datojnë që prej vitit 2016-2017.
Vetëm pas plotësimin të vakancave të krijuara me numrin e nevojshëm të gjyqtarëve, sipas standardeve evropiane, mund të kishim një hartë të re gjyqësore, që objektivisht mund të trajtonte rishpërndarjen e burimeve njerëzore, sipas kërkesave të kohës, zhvillimeve ekonomike dhe sociale, por gjithëmonë sipas standardeve të BE-së.
Konstatoj me keqardhje të thellë, se as kërkesat dhe thirrjet e përsëritura të Presidentit të Republikës, por as të Parlamentit Europian, nuk janë marrë në konsideratë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe aktorët e tjerë të përfshirë në këtë proces. Kësaj strukture të rëndësishme për sistemin e drejtësisë (Dhomës Kombëtare të Avokatisë), mund t`i jetë marrë mendimi, por duket qartë se komentet e dhëna prej saj, nuk janë shqyrtuar sinqerisht dhe objektivisht“, shkruan Meta.
Deklarata e Metës për hartën-e-re-gjyqësore
Me kërkesën se qeveria e gjyqësorit duhet të tërhiqet nga harta e re gjyqësore duke nisur nga e marta avokatët në gjithë vendin nisën bojkotin e proceseve gjyqësore në themel.
Nga ky bojkot bëjnë përjashtim masat e sigurimit personal me të arrestuar.
Si argument veç interesit të qytetarëve avokatët pretendojnë se Shqipëria ka dalë nga një model i dështuar ku më shumë se dy dekada më parë ishte vetëm një gjykatë Apeli ashtu sikurse parashikohet në hartën e re gjyqësore.
Me këmbënguljen e po tentohet të trukohen dëmet që shkaktoi Vettingu në dëm të qytetarëve avokatët paralajmërojnë përshkallëzim të kësaj greve.
KLGJ shkriu 18 gjykata duke reduktuar gjykatat e Apelit në një të vetme në Tiranë, duke hequr pesë gjykatat administrative që do jenë në vetëm dy, një në kryeqytet dhe një në qytetin e Lushnjës dhe duke lënë vetëm 13 gjykata të Shkallës së Parë nga 22 që ishin.
Kreu i Dhomës së Avokatisë akuzon se nuk u përfillën dhe se qytetarët nga drejtësia që nuk do aksesojnë dot do kalojnë ne vetëgjyqësi .
Top Channel