Gruaja thotë se u detyrua t’i jepte bijën burrit që e përdhunoi kur ishte 16 vjeçe, dhe t’i paguajë pension ushqimi (fotot)

15/06/2022 17:58

Një gjykatës në Louisiana, SHBA i ka dhënë kujdestarinë e fëmijës një burri të akuzuar se ka përdhunuar gruan që e lindi atë pas një sulmi të vitit 2005 e cila rrjedhimisht u urdhërua të paguajë mbështetjen financiare për të bijën, edhe pse ishte nën moshë, sipas raportimeve.

Crysta Abelseth tha për rrjetin lokal WBRZ se ishte përdhunuar kur ishte 16 vjeçe nga një burrë thuajse dy herë sa mosha e saj, i cili ofroi ta çonte në shtëpi me makinë.

“Në vend që të më çonte në shtëpi ai më çoi në shtëpinë e tij,” tha Abelseth për John Barnes, i cili asokohe ishte 30 vjeç. “Kur hymë brenda ai më përdhunoi në divanin e dhomës së ndenies”.

Adoleshentja mbeti shtatzënë dhe lindi një vajzë, e cila është tashmë vetë ne moshe adoleshenteje.

“Të gjithë mendonin se kisha mbetur shtatzënë me të dashurin tim, dhe unë i lija të besonin këtë,” thotë Abelseth.

Barnes u rikthye në këtë histori rreth pesë vjet më vonë, kur mësoi se fëmija mund të ishte i tij.

“Kur vajza ime ishte rreth 5 vjeçe, ai mësoi për të dhe kërkoi kujdestarinë për ta marrë fëmijën prej meje”, thotë Abelseth duke shtuar se testi i ADN-së tregonte thuajse me siguri se ai ishte babai.

“Dhe ata i dhanë kujdestarinë 50/50 megjithë faktin se fëmija kishte lindur si pasojë e përdhunimit”.

Abelseth ngriti akuzat e përdhunimit ndaj Barnes në 2015 kur mësoi se ishte brenda kufizimeve kohore të shtetit të Louisiana për akuzën.

Por gruaja thotë se megjithse çështja është e hapur në policinë e Tangipahoa nuk është ngritur asnjë akuzë ndaj autorit.

Tashmë 32-vjeçarja thotë se nuk arrin të merrte në konsideratë nga sistemi i drejtësisë dhe ka humbur kujdestarinë e të bijës pas akuzave se i kishte dhënë fshehurazi një celular.

“Ai ka njohje,” thotë Abelseth për Barnes, i cili zotëron një kompani dixhitale vendase që punon me policinë.

“Më ka kërcënuar disa herë, duke thënë se ka njohje në sistemin e drejtësisë. Më thoshte se mund të ma merrte vajzën kur dëshironte, por unë nuk e besoja derisa ndodhi vërtet”.

Avokatja e gruas, Stacie Triche tha: “Kur mësova se ajo ishte viktimë përdhunimi dhe përdhunuesi merr kujdestarinë e plotë të fëmijës, ndërhyra për të bërë diçka. Ajo është detyruar të paguajë autorin e përdhunimit, dhe të paguajë kostot gjyqësore. Kjo nuk ka logjikë”.

Komentues ligjorë thonë se edhe nuk mund të provohet akti i përdhunimit, diferenca e moshës mes Abelseth e Barnes është në vetvete një përdhunim pasi mosha e pranimit seksual në shtetin e Louisiana është 17 vjeç.

FOTO GALERI
1/3
Crysta Abelseth tha se ishte përdhunuar kur ishte 16 vjeçe nga një burrë thuajse dy herë sa mosha e saj

Top Channel