Presidenti i Brazilit thotë se ‘diçka e ligë’ i ka ndodhur aktivistëve të zhdukur Dom Phillips e Bruno Pereira (fotot)

14/06/2022 18:02

Presidenti brazilian Jair Bolsonaro, ka komentuar sot mbi fatin gazetarit britanik dhe një eksperti vendas indigjen, pas raportimeve të pakonfirmuara se trupa janë gjetur nga grupet e kërkimit në Amazonë.

Bolsonaro tha se beson se “diçka e ligë” i ka ndodhur gazetarit britanik Dom Phillips dhe shoqëruesit të tij indigjen Bruno Pereira, pas njoftimit se dy trupa të paidentifikuar  janë gjetur prej operacioneve të kërkimit.

Autoritetet nuk përshkruanin vendndodhjen por thanë se trupat ishin gjetur në pyjet tropikale, të lidhur në një pemë, sipas Paul Sherwood, kunati i të zhdukurit britanik që ka marrë njoftimin.

Por policia braziliane më vonë mohoi se ishin gjetur trupa, por disa zotërime të të humburve, nga grupet e kërkimit.

Duke folur dje në radio, presidenti Bolsonaro tha se provat e akumuluara tregojnë se dy burrat ishin zhdukur mëngjesin e 5 qershorit teksa lundronin me barkë gjatë lumit Itaquaí, dhe se fatkeqësisht nuk ka shumë shpresa për t’i gjetur të gjallë.

Bolsonaro shtoi se testime po kryen në lëndë njerëzore të gjetur duke pluskuar në një nga lumenjtë e rajonit. “Ka sinjalizime se atyre u janë bërë gjëra djallëzore,” tha presidenti.

Objektet personale që i përkisnin dy të zhdukurve ishin gjetur në fundjavë në një zonë pyjore të përmbytur, nga një grup i vogël por i vendosur kërkimi, me vendas indigjenë.

Me hushta në duar, veshje tradicionale dhe këngë në gjuhë amtare indigjene, protestues dolën nëpër rrugë për të kërkuar drejtësi dhe për të denoncuar sulmet historike ndaj natyrës së Brazilit dhe tokave të popullsive indigjene.

Në posterat e demonstruesve shkruhej: “Kush vrau Bruno e Dom” si dhe “Bolsonaro jashtë!” Në një tjetër pankartë shkruhej: “Mjaft gjakderdhje për ata që mbrojnë indigjenët.”

At Giuseppe Leoni, një prift italian që ka punuar në Amazon për më shumë se 50 vjet, insistonte se dy njerëzit nuk kanë humbur kot jetën e tyre.

Leoni tha se dedikimi i tyre për të mbrojtur komunitetet indigjene në Brazil, mbrojtja e pyjeve dhe tregimi i të vërtetës, do të frymëzojë gjeneratat e ardhshme për të njëjtën kauzë.

FOTO GALERI
1/5
Duke folur dje në radio, presidenti Bolsonaro tha se provat e akumuluara tregojnë se dy burrat ishin zhdukur mëngjesin e 5 qershorit teksa lundronin me barkë gjatë lumit Itaquaí

Top Channel