Reforma Territoriale/ Alibeaj: Në korrik propozim konkret për hartën e re! Xhaferraj: Ka dakordësi për rritjen e numrit të bashkive (Diskutimet)

14/06/2022 16:56

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike, i thirrur nga Enkelejd Alibeaj po zhvillon këtë të martë mbledhjen për Reformën e re Territoriale.

Alibeaj tha në mbledhje se këtë muaj do të evidentohen të gjitha problematikat që lidhen me Reformën Territoriale, për të dalë më pas në propozime deri në fund të korrikut sesi duhet të jetë harta e re territoriale e Shqipërisë.

“Në qershor do të evidentohen problematikat që lidhen me Reformën Territoriale, dhe deri ne fund të korrikut do të dilet me propozim konkret, për mënyren sesi do të duhet të jetë harta e re territoriale e Shqipërisë”, është shprehur Enkelejd Alibeaj.

Deputeti Ferdinant Xhaferraj është shprehur se nga takimet e zhvilluara me qytetarët, ka pasur dakordësi për rritjen e nurmit të bashkive në vend.

“Mendoj që komisioni ka një kompozim shumë të mirë duke filluar nga Dhurata që ka një artikulim të mirë. Ne duhet të kemi disa opsione. Dhe krahas interesit qytetar që është primar, sigurisht duhet të mbajmë në konsideratë edhe interesin elektoral. Nga të gjitha takimet që kemi pasur me qytetarë, ka një dakordësi për rritjen e numrit të bashkive”, është shprehur Xhaferraj.

Po ashtu, deputetja Dhurata Çupi është shprehur se deri më tani janë miratuar dy ekspertë, ku faza e parë do t’i kushtohet komunikimit me opinionin publik. Sipas saj, reforma aktuale territoriale është e dështuar.

“Ne jemi mbledhur anëtarët e komisionit që përfaqësojmë PD. Miratuam dy ekspertë që do na bashkëngjiten. Faza e parë duhet të jetë komunikimi me opinionin publik. Sot ka një reformë të dështuar sa i takon atyre çfarë u premtua në 2014. Një reforme që premtoi shumë por sot jemi para realitetit që reforma ka dështuar. Ne duhet te komunikojmë me qytetarët mbi ate çka ndodhur deri sot me reformën”, u shpreh Çupi.

Si ekspertë janë përcaktuar Agron Haxhimali dhe Roland Bejko. Mbledhja po zhvillohet për të diskutuar mbi fillimin e procesit të reformës territoriale duke qenë se të mërkurën do të ketë mbledhjen e parë komisioni për reformën territoriale.

Dje u zhvillua mbledhja e parë e deputetëve të PD-së, anëtarë të Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale.

Deputetët u dakordësuan që në mbledhjen më të parë të Grupit Parlamentar të PD-së t’i kërkohet çdo deputeti/je të Grupit që të sjellë me shkrim:

(i) Një analizë të problematikave të zonës ku ai është zgjedhur, në nivel bashkie dhe/ose qarku;

(ii) Personat, qofshin funksionarë apo ish-funksionarë të PD-së në nivel vendor, apo edhe aktorë të tjerë relevantë, që duhet të konsultohen; dhe

(iii) Propozimet e tij/saj për kriteret dhe standardet që duhen aplikuar për ndarjen e re administrative-territoriale të tilla si, por pa u kufizuar në, popullsia, gjeografia, zhvillimi ekonomik, shërbimet ndaj qytetarëve, lidhjet kulturore, historike etj.

Të gjitha materialet e sjella nga deputetët do t’i shërbejnë më pas Grupit të Punës që të hartojë një dokument të sintetizuar të problematikave në nivel bashkie dhe qarku, listën e personave që duhen konsultuar për të mbledhur opinionet e tyre, si dhe kriteret e standardet që duhen mbajtur në konsideratë për ndarjen e re administrativo-territoriale.

FOTO GALERI
5/11

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA