Golden State “shikon” parajsën, një fitore larg titullit në NBA

14/06/2022 17:25

Një fitore larg titullit. Duket e pabesueshme, pas gjithë atyre që kanë kaluar në këto 3 vjet, por në ditën e përvjetorit të dëmtimit që nisi kalvarin e Klay Thompson dhe riformatimin e skuadrës, Golden State fiton 104-93 ndeshjen e pestë të finaleve kundër Boston, dhe të premten në transfertë luan “match pointin” e parë për unazën e kampionëve.

Golden State në kompleks e meritoi fitoren, të ekzaltuar edhe nga publiku i nxehtë i Chase Center, duke ja dalë që si skuadër të mos ndiente ndeshjen më të dobët të Steph Curry në këtë seri. Boston që për herë të parë në këtë play off humbet dy ndeshje radhazi, ishte me shumë oshilacione, duke humbur fillimisht preçizionin që më pas e gjeti për ta humbur sërish më pas. Të premten në TD Garden, skuadra e Udoka duhet të nxjerrë më të mirën për të cuar sërish Finalet në San Francisco për tu luajtur edhe ndeshja e 7-të.

SKUADËR

Nëse Warriors në këto finale kanë qenë mbi të gjitha Curry, ndeshja e 5-të ishte më shumë se të tjerat fitorja e skuadrës. Fitorja e Andre Wiggins, MVP i ndeshjes me 26 pikë dhe 13 rikuperime, e Draymond Greeen në pjesën e parë, e Klay Thompson dhe e Jordan Poole në pjesën e dytë. Curry me 16 pikë, 7/22 goditje të realizuara nga fusha dhe një 0/9 për trepikësha të pazakontë për të, gjithsesi bëri liderin edhe në këtë situatë, duke lënë mënjanë kërkimin e lavdisë personale për t’u vënë sa më mirë në shërbim të skuadrës.

5 lojtarët me numër dyshifror pikësh janë dëshmia më e mirë, se motoja forca është te numrat mbetet në fuqi te Golden State. Wiggins konfirmoi se pa presion di si të bëjë fenomenin, Green luajti ndeshjen e tij më të mirë në këtë seri, Poole ishte shkëndija nga stoli bashkë me Gary Payton II që po përjeton një përrrallë. Ashtu si dhe Golden State që pasi pa ferrin tani e gjen veten një hap nga parajsa. Ceclësi për të hyrë aty është një tjetër fitore. Të premten në Boston do të kenë shansin e parë për ta marrë.

BOSTON ME SHPATULLA PËR MURI

I gjendur nën sulmin e Warriors që në fillim të takimit, Celtics në pjesën e parë u gjendën në kaos, me sulmin që çaloi me 12 gabime në 12 tentativat e para për trepikësha. Perioda e tretë ishte i vetmi moment i ndeshjes në të cilin Celtics luajtën si Celtics, fizikë në mbrojtje dhe të vendosur në sulm. Nuk zgjati shumë, për meritë të Golden State që e rigjeti shpejt veten dhe natyrisht edhe për faj të Boston që pasi humbi në sulm efikasitetin e Tatum nuk ja doli të gjente një tjetër alternativë. Tani ju duhet të luajnë për të mos prekur fundin diçka që e kanë bërë disa herë në këtë play off të gjatë, por këtë herë është ndryshe pasi këto janë finalet.

NDESHJA

Nisja e Warriors ishte e jashtëzakonshme, agresivë që në start e çuan në “black out” Bostonin dhe prekën avantazhin 24-8 pak para sirenës. Boston provoi të rigjente veten, duke shkurtuar distancën në periodën e dytë deri në 6 pikë me një rezultat të pjesshëm 8-0 por ishte Wiggins që mbajti para Golden State, duke firmosur 9 pikë në periodën e dytë dhe skuadrat që shkuan me rezultatin 51-39 në pushim.

Perioda e tretë në këto finale ka qenë gjithmonë nën dominimin e Warriors, por në këtë sfidë u kthye në atë të reagimit të Celtics. Boston e nisi me një rezultat të pjesshëm 10-0,  përmbys Golden State me një tjetër rezultat të pjesshëm 27-10, pastaj Klay Thompson zgjon skuadrën, Poole shënon një trepikësh në rënien e sirenës dhe në fund të periodës së katërt Warriors ishin sërish përpara 75-74. Thompson e Poole ndëshkojnë Bostonin me një rezultat të pjesshëm 10-0 në fillim të periodës së katërt dhe Wiggins kompleton veprën e artit, duke çuar Golden State një fitore larg titullit kampion./ SuperSport

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA