Japonia po kërkon prej kohësh mënyra sesi të ndihmojë popullsinë e saj, e cila po plaket me ritme të shpejta, një prirje kjo që po shkakton probleme të mëdha ekonomike dhe politike me një numër të pakësim të rinjsh që duhet të mbështesë një ushtri në rritje të moshuarish.
Afro 30 për qind e popullsisë së Japonisë është mbi 65 vjeç, shumica gra, dhe ky trend pritet të vazhdojë avancimin me të njëjtat ritme edhe në dekadat e ardhshme.
Kawasaki Heavy Industri e Japonisë, një korporatë shumëkombëshe e njohur për prodhimin e makinerive industriale dhe pajisjeve të rënda, ka zhvilluar robotin e saj të parë katërkëmbësh i cili sipas saj mund të ndihmojë përballë mungesës së fuqisë punëtore në shoqërinë e plakur të vendit.
Bëhet fjala për një dhi, apo një robot me brirë të mëdhenj të përkulur i cili mund të lëvizë me katër këmbë në terrene të vështira apo edhe në sipërfaqe më të lëmuara duke përdorur në këtë rast rrota të vendosura në pjesën e poshtme të barkut.
I aftë të mbajë ngarkesa deri në 100 kg, roboti i pagëzuar si BEX, punon me bateri e mund të zhvendoset pa probleme në mënyrë autonome.
E njohur globalisht si një kompani motoçikletash, Kawasaki nisi të prodhojë robotë humanoidë në vitin 2017 dhe vendosi të zhvillonte një prototip me katër këmbë vitin e kaluar.
BEX është më i avancuari prej tyre, dhe u krijua për të kryer detyra sidomos në bujqësi, duke iu përgjigjur kështu ngërçeve që hasen së fundi në përditshmërinë e Japonisë rurale. Kompania do të vazhdojë testimin e BEX këtë vit dhe shpreson ta komercializojë robotin në 2023-shin.
Top Channel