Qeveria angleze i ka dërguar letra 100 azilkërkuesve se kërkesa e tyre për azil do të shqyrtohet pasi ata të jenë dërguar në Ruanda.
Ministria e Punëve të Brendshme angleze ka vendosur të dërgojë në Ruanda 30 personat e parë përmes kësaj skeme e cila synon frenimin e azil kërkimit në Angli. Tch ka mësuar se në avionin e parë që do të niset drejt Ruandës mesditën e së martës ka edhe disa shqiptarë .
Që kur qeveri e kryeministrit Boris Johnonsn, arriti një marrëveshje me Ruandën, prej 1 majit e në vazhdim të gjithë emigrantët që kanë mbërritur ilegalisht në Angli mbahen të izoluar në disa qendra ndalimi për emigrantët.
Javën e shkuar gjykata e lartë angleze rrëzoi kërkesën e disa organizatave jo qeveritare të cilat ju drejtuan gjykatës për të bllokuar dërgimin e emigrantëve në Ruanda. Por Avokatët që kërkojnë bllokimin e fluturimit të 30 emigrantëve të martën drejt Ruandës nuk humbën kohë dhe e çuan çështjen në gjykatën e apelit.
Në këtë të fundit gjyqtari Lord Sing la në fuqi vendimin e gjykatës së lartë angleze për të lejuar dërgimin e azil kërkuesve në Ruanda. Gjyqtari i apelit tha se vendimi i marrë më parë ishte korrekt dhe nuk kishte shkelje të ligjit siç pretendonin apeluesit.
Sipas Ministrisë së Brendshme angleze, gjatë viti 2021, 837 shqiptarë mbërritën në Angli përmes udhëtimit të rrezikshëm me gomone në kanalin e La Manshit. Vetëm Disa muaj më parë Top Channel tregoi se si në ‘TikTok’ trafikantët reklamonin kalimin me gomone nga Franca për në Angli, për një çmim nga 4 mijë deri 6 mijë stërlina.
Sipas ministrisë britanike të drejtësisë gjatë 2021, 170 shqiptarë dolën para gjykatës dhe u dënuan si të përfshirë në kultivimin e lëndëve narkotike në shtëpi apo objekte industriale të marra me qira. Vitin e shkuar ministrja britanike e punëve të brendshme Prit Patel në Tiranë firmosi një marrëveshje me ministrin Bledar Çuçi për përshpejtimin e dëbimit të shtetasve shqiptarë pa leje qëndrimi apo kur ata përfundimin dënimin e marrë në gjykatë për krime të ndryshme.
Top Channel