Vllaznia ka zyrtarizuar afrimin e parë në merkato. Fituesit e Kupës së Shqipërisë, kanë gjetur zëvendësuesin e Ardit Krymit, i cili u transferua si lojtar i lirë te Shakhtyor Soligorsk, Bjellorusi.
Kuqeblutë kanë firmosur për dy vite me Lorik Boshnjakun, mesfushorin shkatërrues që ishte pjesë e Prishtinës prej dhjetorit të vitit 2014, ekip ku ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit.
26-vjeçari është grumbulluar edhe me përfaqësuesen e Kosovës, por duhet të presë ende për të debutuar me dardanët e Alain Giresse. Mirel Josa e njeh mirë pasi kanë punuar së bashku te bardhekaltrit nga Prishtina.
Trajneri nga Tirana ngulmoi në afrimin e Boshnjakut, dëshirë që u plotësua nga presidenca shkodrane. “KF Vllaznia bën të ditur se ka firmosur me futbollistin Lorik Boshnjaku.
Për 7 vite me radhë ai ka qenë pjesë e FC Prishtina, ndërsa nga sot e për dy vitet e ardhshme do të jetë pjesë e klubit tonë. Boshnjaku luan në rolin e mesfushorit të qendrës dhe KF Vllaznia i uron mirëseardhjen në familjen kuqeblu!”, lexohet në postimin e klubit shkodran.
Top Channel