Kryeministri i vendit, njëkohësisht kryetari i PS-së ka uruar këtë mëngjes socialistët që festojnë 31-vjetorin e krijimit të partisë.

“Mirëmëngjes dhe me urimin për ditëlindjen e Partisë Socialiste, të gjithë atyre që i kanë dhënë dje dhe i japin sot #PS, që nga patronazhisti më i thjeshtë, tek drejtuesit në territor e deri tek themeluesit e saj dhe lideri Fatos Nano, ju uroj të gjithëve ju një të diel të qetë🙏#31VJETPS❤️🌹“, shkruan Rama në postimin e bërë në rrjetin social “Facebook”.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka shprehur mirënjohjen e ndaj themeluesve dhe kontributorëve ndër vite, të cilët thotë se i dhanë Shqipërisë forcën politike më të madhe, më atdhetare, gjithmonë e hapur, gjithmonë progresiste e moderne, e cila promovon në Shqipëri vlerat më të mira social-demokrate europiane.

“Gëzuar Ditëlindjen e 31 të Partisë Socialiste🇦🇱🌹Mirënjohje themeluesve kurajozë, të gjithë kontributorëve ndër vite, të cilët i dhanë Shqipërisë forcën politike më të madhe, më atdhetare, gjithmonë e hapur, gjithmonë progresiste e moderne, e cila promovon në Shqipëri vlerat më të mira social-demokrate europiane🇦🇱🇪🇺. Mirënjohje anëtarëve, patronazhistëve, simpatizantëve dhe çdo votuesi në këtë ditëlindje të famijes sonë të madhe😍 GËZUAR!”

Për kryebashkiakun e Tiranës, Partia Socialiste është forca që po transformon Shqipërinë dhe kryeqytetin.

“Gëzuar Ditëlindjen 🎉 Partia Socialiste🌹, forca që po transformon Shqipërinë dhe Tiranën. 🇦🇱 Mirënjohje çdo socialisti të thjeshtë, që i jep energji dhe përkushtim, që punët të ecin përpara”, shkruan Veliaj në urimin e tij.

Ceremonia e ditëlindjes së 31-të të Partisë Socialiste pritet të zhvillohet këtë të diel në ambientet e sheshit ‘Austria’, pranë selisë rozë, në orën 19:00.

Top Channel