Hakmarrja dyshohet të jetë shkaku i vrasjes me eksploziv të 27-vjeçarit Aleksandër Sadikaj.  Policia dyshon se autorët me të cilët viktima kishte hyrë në konflikt i vendosën pas gomës së përparme të mjetit rreth 500 gr C4.  Një tjetër pistë hetimore është ajo e vrasjes për shkak të implikimit në trafikun e drogës dhe borxhet.

Ekspertët e IT në policinë e shtetit po zbërthejnë me dhjetra kamera sigurie në zonat ku 27-vjeçari kishte parkuar makinën apo kishte lëvizur ditët e fundit me shpresën për të identifikuar autorët.

Policia ka dyshime se Aleksandër Sadikaj është ndjekur në distancë nga autorët të cilët kanë telekomanduar lëndën plasëse. Policia ka kërkuar ndihmë dhe nga kompanitë celulare për të identifikuar aparatet cellular të loguar në perimetrin ku ndodhi shpërthimi.

Nga këqyrja e mjetit të viktimës policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë me krehër që dyshohet se i përkiste viktimës. Arma është çuar në laborator për të zbuluar nëse është përdorur në ndonjë ngjarje kriminale.

Për vrasjen e të riut në polici nuk është shoqëruar asnjë njeri por po verifikohen personat me të cilët 27-vjeçari ka qenë në konflikt për shkak të të cilave është përballur me drejtësinë për plagosje e tentativë vrasje.

Të dhëna operative të policisë thonë se i riu pak javë më parë është përfshirë në një konflikt në Memaliaj aty ku kishte ndërtuar një biznes prej më shumë se një viti. Të gjithë të dyshuarit po verifikohen nga policia në lidhje me lëvizjet e tyre ditën e ngjarjes.

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA