Ditët e fundit dhjetëra adoleshentë të katër shkollave të mesme kanë denoncuar në polici se kanë rënë viktima në platformën TELLONYM ku përmes një rubrike ndodhi në bllok 1 dhe 2, ata po denigrohen dhe bullizohen. Çështja e cybercrime u trajtua të dielën mbrëma në “Exclusive” nga gazetarja Anila Hoxha.
Duke përdorur pasaportën e një nigeriani, Dondald Fonken Anu nuk hyri në Shqipëri për qëllime teologjike dhe konsultimi në biznes siç ai deklaroi në gjykatë. Por për të çuar deri në fund zhvatjen e kompanive ndërkombëtare përmes një skeme mashtrimi ku kamerunasi dhe disa shqiptarë ende nën hetim, përvetësuan 5 milionë euro.
Kompanitë e mashtruara ja përcillnin dërgesat Anu dhe Maria Atijok, që prezantohet si futbollistë, mbasi çifti dhe bashkëpunëtorët e tyre hapën 17 subjekte që me emaile gracke u mbivendoseshin kompanive të vërteta të cilat kishin kryer në realitet shitblerjen.
Prokuroria e përgjithshme raporton se krimi kibernetik njohu rritje të frikshme në mënyrë të veçantë gjatë pandemisë, ku distancimi fizik shënoi realitete të tjera, si bumi me blerjet online por edhe komunikimi përmes internetit që e uli shoqërinë përpara kompjuterit.
Njëherazi zhvillimi teknologjik ka sjellë ballafaqimin me një rrezik të ri, cybercrime që zhvillohet nga hakerat por edhe individë të cilët vjedhin të dhënat personale, shantazhojnë, kërcënojnë dhe vënë gjoba duke shfrytëzuar fotografi dhe video intime.
Pas një takimi mes vendeve të Ballkanit të thirrur nga Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike , Pranvera Kastrati, ekspertja rajonale për ndërlidhje ekonomike dhe digjitale është e qartë për panoramën.
“Ajo që ne kemi vënë re nga Ballkani është numri i rritur i qytetarëve që janë të shqetësuar se si të dhënat e tyre përdoren. Pra rreth 37 përqind e qytetarëve në Ballkanin Perëndimor thonë që të dhënat e tyre personale janë keqpërdorur. Por gjithashtu ka qytetarë që mendojnë që siguria e platformave është e rëndësishme. Megjithëse ka një ulje përsëri numri mbetet i lartë i atyre që shqetësohen për sigurinë e platformave. Dhe këtu flitet sidomos për krimin ndaj fëmijëve, tregtinë elektronike”, tha Kastrati.
Rastet e identifikuara nga autoritetet radhisin një listë të gjatë viktimash nga interneti që nga shembujt më të thjeshtë vjedhja e llogarisë së Facebook, deri më të rëndat, prania e pedofilëve .
Dhe këta nuk janë hakera, por keqbërës që qëndrojnë në anën tjetër të kompjuterit, në pritje që dikush fëmije apo i rritur të publikojë diçka më shumë nga jeta e tij, ose të shtype butonin e gabuar.
Ndërkohë rastet e zbuluara njohin hetime të mashtrimit virtual sikurse Kameleonët, një grup prej 10 vetash që të gjithë të njohur me njëri-tjetrin. Ata hapën llogari të shumta në Facebook dhe duke përdorur fotografinë e këtij 2-vjeçari Ukrainas, e prezantuan si një të mitur nga Shqipëria që luftonte për jetën dhe bënë apel për bamirësi dhe donacione.
Kameleonët shqiptarë mashtruan dhjetëra qytetarë që iu zhvatën shuma të pacaktuara dhe më pas u zhdukën. Megjithëse me një njësi të hetimit të krimeve kibernetike në policinë e shtetit dhe një serë institucionesh që merren me sigurinë në rrjet, 4 deri në 5 qytetarë dëmtohen çdo ditë dhe kërkojnë ndihmë nga policia për probleme që nga denigrimi, bullizimi, mashtrimi financiar dhe abuzimi seksual më të panjohur që i takuan më së pari në internet dhe mbasi ju dhanë besim ata humbën.
Clarisse Pasztory, ZV kryetare e Prezencës së OSBE tha se duhet të jeni shumë të kujdesshëm me fëmijët që të mos bien në kurthin e të ashtuquajturve nxitës. Qoftë ky për shfrytëzim seksual ose jo, ata duan të shohin një foto të tyre ndoshta fillimisht vetëm duke buzëqeshur. Pastaj ndoshta me pjesën e sipërme pa rroba dhe pastaj ndoshta edhe më shumë. Pra, ky është një nga rreziqet, por po ashtu edhe për arsye politike të shfrytëzimit dhe rekrutimit për shembull me qëllime terroriste ose ekstremiste.
Radikalizimi nga rrjeti është tjetër çështje e rëndësishme veçanërisht për të miturit. Pastaj shënjestrimi i rinisë, si ajo në fazën e pubertetit, kur ndihesh i pasigurt e që dëshiron të jesh diku, duke i dhënë atyre ndjenjën e përkatësisë, kjo është një nga mënyrat ku funksionojnë lloj-lloj grupesh në rrjet. Dhe më pas shkojmë drejt kriminalitetit më të madh. Kur keni një kartë krediti, për shembull, ndoshta blini ose porositni në internet, kështu që i gjithë përdorimi dhe mospërdorimi i mjeteve financiare në tregtinë elektronike është një problem.
Dhe këtu tani vijmë te brezat e moshuar, për shembull, që kanë shumë pak njohuri për këtë. Atyre mund t’u ofrohet diçka shumë tërheqëse për të blerë, çfarëdo qoftë për kuzhinën në internet, ose diçka me çmim shumë tërheqës pa e kuptuar që ata po nënshkruajnë diçka që thotë se për pjesën tjetër të jetës së tyre ata lidhen me atë kontratë e kështu me radhë.
Top Channel