Arrestimi i ish-kryebashkiakut të Vorës/ Alibeaj “rreh gjoksin” teksa kujton denoncimin e PD-së për Kajmakun: Janë prova se Rama erdhi në pushtet nga krimi

12/06/2022 11:29

Ish-kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku, që është arrestuar në Itali për trafik droge, është prova e qartë se Edi Rama ka ardhur në pushtet me ndihmën e krimit, thotë demokrati Enkelejd Alibeaj.

Agim Kajmaku, që në 27 maj u arrestua në Itali për trafik droge ka qenë kryebashkiak i Vorës, deri kur u shkarkua nga KQZ dy vite më parë, pasi u denoncua nga PD për fshehje të të shkruarës kriminale në Greqi atje ku rezulton se është arrestuar, hetuar e më pas dënuar në mungesë për përdorimin e monedhave të falsifikuara, pavarësisht se më pas u shpall i pafajshëm nga gjykata e Apelit të Janinës. Kajmaku erdhi në krye të Bashkisë Vorës nga zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019, dhe dënimin në Greqi nën emrin Jorgo Tota, që mbante atëherë, nuk e deklaroi në formularin e dekriminalizimit.

Kur PD e denoncoi me fakte aktivitetin kriminal të Kajmakut në Greqi, Rama e mbrojti, e justifikoi dhe e ia fshehu drejtësisë sa mundi, thotë Alibeaj në një reagim në rrjetet sociale:

“E mbani mend kur Edi Rama thoshte “Gimi është si puna ime”? E kishte fjalën për Agim Kajmakun, ish-kryetar i bashkisë Vorë, sot i arrestuar në Itali për trafik droge.

Kurioz jam të dëgjoj se çfarë do thotë sot shefi i Rilindjes, për një trafikant droge që e bëri kryetar bashkie, siç bëri shumë të tjerë, deputetë e drejtues të lartë të pushtetit të tij. Nuk pres as të skuqet e as të zverdhet, sepse është i nxirë faqje të gjithëve nga raportet e DASH dhe ODHIR!

Me shumë gjasë sot, Edi Rama i zënë prapë mat, do zgjedhë kodin mafioz të heshtjes!  Denoncimet e PD në të gjitha rastet për të inkriminuarit e tij janë vërtetuar dhe është provuar se pushteti i tij, është pushtet i marrë me kriminelë e trafikantë droge dhe me votat e non gratave të tij”.

Top Channel