Pasi ekipi i saj e përjashtoi ne 2021-shin mundësinë që koronavirusi përgjegjës për pandeminë që gjunjëzoi botën të kishte dalë aksidentalisht nga një laborator në Kinë, Organizata Botërore e Shëndetësisë i rikthehet kësaj çështjeje të vjetër me një këndvështrim të ri.
Një grup ekspertësh i krijuar prej saj për të ndihmuar në hetimin e origjinës së pandemisë së koronavirusit, ka dalë në përfundimin se nevojiten kërkime të mëtejshme për të përcaktuar se si nisi COVID-19, duke përfshirë këtu dhe një analizë më të detajuar të mundësisë së një aksidenti laboratorik.
“Ende mungojnë pjesë kyçe të dhënash, të cilat të shpjegojnë sesi filloi pandemia. Grupi ynë mbetet i hapur ndaj çdo prove shkencore që do të vihet në dispozicion në të ardhmen për të lejuar verifikimin gjithëpërfshirës të të gjitha hipotezave të arsyeshme”, deklaroi OBSH.
Ky qëndrim shënon një përmbysje të ndjeshme të vlerësimit fillestar të Agjencisë së Shëndetit të OKB-së për origjinën e pandemisë. OBSH-ja, vitin e kaluar, arriti në përfundimin se ishte “jashtëzakonisht pak e mundshme” që COVID-19 të ishte përhapur tek njerëzit nga laboratori.
Shumë shkencëtarë dyshojnë se koronavirusi është transmetuar te njerëzit nga lakuriqët e natës, përmes kafshëve të tjera. Identifikimi i burimit të sëmundjeve të tilla tek kafshët zakonisht zgjatë me vite.
U deshën rreth 15 vjet që shkencëtarët të gjenin llojet e lakuriqëve të natës që ishin rezervuar natyror për SARS-in e konsideruar kushëri të COVID-19.
Por grupi i ekspertëve të OBSH-së gjithashtu vuri në dukje se, duke qenë se aksidentet laboratorike kanë shkaktuar disa epidemi në të kaluarën, kjo teori, shumë e politizuar që nuk pranohet nga Kina dhe e trumpetuar me të madhe nga ish presidenti amerikan Donald Trump nuk mund të hidhet poshtë.
Top Channel