Presidenti në ikje Ilir Meta zgjodhi të mos  bëhet pengese për zgjedhjen e pasardhësit të tij, Bajram Begaj në krye të shtetit.

Ai firmosi pa hezituar nga Konsullata shqiptare në Stamboll lirimin nga detyra të Gjeneral Begaj  duke i hapur rrugë zgjedhjes së  tij në Kuvend si presidenti i ri i Republikës.

Ilir Meta jo vetëm përmes dekretit  tregoi sot publikisht aprovimin për  njeriun që do e pasojë në 5 vitet e ardhshme  në Presidencë,  edhe pse ai shkoi në  Kuvend si propozim i socialistëve .

Dy presidentët, ai në ikje dhe ai i sapo zgjedhur zhvilluan një takim në Presidencë ku Ilir Meta nuk e fshehu entuziasmin dhe as nuk e kurseu buzëqeshjen teksa pozonte krah pasardhësit të tij.

“Kënaqësi të prisja sot Presidentin e zgjedhur, z.Bajram Begaj dhe t’i uroja sërish suksese në detyrën e lartë, që e pret në interes të vendit dhe të gjithë qytetarëve”, tha Ilir Meta.

Para marrjes së detyrës zyrtare Bajram Begaj është këshilluar me të gjithë ish krerët e shtetit,  ndërkohë  të vetmin ish President që ka zgjedhur ta shmangë është Sali Berisha.

Top Channel