Scholz në Prishtinë/ Kancelari gjerman: Marrëveshja të zgjidhë njohjen e Kosovës

10/06/2022 15:34

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz vizitën e tij në Ballkanin Perëndimor e filloi në Kosovë. Scholz në Prishtinë erdhi me mesazh të qartë sa i përket dialogut Kosovë–Serbi.

“Është e qartë që  marrëveshja në fund duhet të zgjidhë edhe çështjen e njohjes së Kosovës, sepse është e paimagjinueshme që dy vende të cilat nuk e njohin njëra tjetrën të bëhen anëtarë të BE-së. I lus sot të dyja palët për një zotim për dialog”, tha Olaf Scholz.

Kancelari Scholz nga Prishtina, qortoi edhe Serbinë sa i përket hezitimit për sanksionim të Rusisë pas invazionit në Ukrainë, duke thënë që të gjithë ata që aspirojnë të anëtarësohen në BE, duhet të jenë në një linjë me të.

Megjithatë, kancelari gjerman nuk qe i qartë nëse shteti që ai e udhëheqë e mbështetë edhe “Ballkanin e Hapur”.

“Sa i përket ‘Open Ballkan’, duhet ta kemi të qartë se në prioritet të madh i japim tregut të përbashkët rajonal i cili mendojmë që duhet të përparojë dhe çështjet mund të realizohen e çohen përpara”, tha Scholz.

Scholz mes tjerash tha se është duke u angazhuar edhe për liberalizimin e vizave për Kosovën, meqë kushtet janë plotësuar. Ndërkohë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se vendi është në rrugën Euro-Atlantike.

“Ne kemi aplikuar tashmë në Këshillin e Evropës sivjet planifikojmë që të aplikojmë për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian e kërkojmë mbështetjen e të gjithëve”, tha Albin Kurti.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz do të vizitojë edhe kampin e ushtarëve gjerman në Kosovë e pastaj do të udhëtojë për në Beograd për të vazhduar vizitën e tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA